RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Mijëra protestues vërshojnë rrugët e Londrës kundër sulmeve izraelite në Gaza

mijera-protestues-vershojne-rruget-e-londres-kunder-sulmeve-izraelite-ne-gaza

Një tubim dhe marsh masiv u mbajt në Londër sot për të protestuar kundër sulmeve izraelite dhe furnizimit të armëve për Izraelin dhe për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Mijëra protestues u mblodhën në Sheshin e Parlamentit për të shprehur solidaritet me palestinezët në Gaza, ku më shumë se 34.300 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori.

Duke mbajtur flamuj palestinezë, protestuesit kërkuan armëpushim të menjëhershëm në enklavën e rrethuar palestineze dhe kritikuan qëndrimin e qeverisë britanike ndaj Izraelit.

“Palestina e lirë”, “Stop gjenocidit” dhe “Rishi Sunak, nuk mund të fshihesh, ne të akuzojmë për gjenocid”, ishin disa nga parullat e shumta të brohoritura nga protestuesit pro Palestinës gjatë marshimit që vazhdoi drejt Hyde Park.

Ata kritikuan gjithashtu Keir Starmerin, kreun e Partisë Laburiste të opozitës për qëndrimin e tij ndaj Izraelit.

Protestues nga grupe të ndryshme hebreje antiizraelite ishin në mesin e pjesëmarrësve në tubim.

Përgjatë rrugës së marshimit, një grup protestuesish proizraelitë organizuan gjithashtu një demonstratë, ndërsa disa protestues hebrenj propalestinezë mbanin pankarta, ku shkruhej: “Jam haptazi hebre dhe kundër gjenocidit”.

Duke folur për Anadolu, Jude Bliss, një protestues 39-vjeçar, tha se është e rëndësishme të tregohet solidaritet me banorët e Gazës dhe popullin palestinez.

“Ajo që po ndodh tani është gjenocid”, tha ai, duke shtuar se furnizimi i vazhdueshëm i armëve për Izraelin nga SHBA-ja dhe Britania është një gjë “mizore”, pasi ato po “vrasin dhjetëra mijëra palestinezë dhe veçanërisht fëmijë”.

Bliss i bëri thirrje qeverisë britanike që të “pezullojë menjëherë” ofrimin e armëve dhe financimin e “makinerisë së luftës së Izraelit”.

Husam Zomlot, ambasadori palestinez në Britani, dhe Michelle O’Neill, ministrja e parë e Irlandës së Veriut, ishin mes të pranishmëve në tubim.

Related posts

Pretendohet se inteligjenca greke ka përgjuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Greqisë

admin

Kurti pret ambasadorin e ri turk: Turqia, partner i dëshmuar i Kosovës

admin

Ukraina vazhdon sulmet në disa rajone të Rusisë, evakuohen 1,200 fëmijë

admin