RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ministrat e BE-së diskutojnë për Malin e Zi

ministrat-e-be-se-diskutojne-per-malin-e-zi

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane.

Mali i Zi është një prej temave të diskutimit gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet të hënën në Bruksel.

Sipas paralajmërimeve, për situatën në Mal të Zi pritet të raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ata kanë vizituar Malin e Zi në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Zyrtarët e BE-së thonë se këto vizita të dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve anëtare në Podgoricë ishin të suksesshme.

Ata thanë se udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tashme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhjen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese.

Ky do të ishte një parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta në Mal të Zi.

Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërlliq Radman, ka paralajmëruar se do të flasë për situatën në Mal të Zi, pasi edhe ai, para disa ditësh kishte qëndruar për vizitë atje.

“Ftojmë Malin e Zi që ta kuptojë seriozisht mesazhin e BE-së për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin e diskutueshëm për presidentin. Ne kemi nevojë për Malin e Zi, na duhet një Mal i Zi stabil, i orientuar në mënyrë të qartë kah vlerat evropiane”, ka thënë ministri i Kroacisë, duke shprehur bindjen se Mali i Zi do të tejkalojë krizën politike dhe do të avancojë në rrugën e integrimeve evropiane.

Mali i Zi është vendi udhëheqës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet.

Disa burime diplomatike në Bruksel, madje, kanë tërhequr vërejtjen se i tërë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese. /rel

Related posts

Netanyahu i quan ‘antisemite’ protestat në Francë

admin

Dyshohet se është orkestruar nga një grup që ka lidhje me inteligjencën ushtarake ruse, Gjermania paralajmëron pasoja pas sulmit të dyshuar kibernetik rus

admin

Mbi 400 fëmijë të vrarë nga lufta në Ukrainë

admin