Ministrat e Jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit do të takohen të premten në Moskë për të marrë pjesë në bisedimet e paqes.
“Më 19 maj, Moska do të presë një takim trepalësh dhe kontakte të veçanta dypalëshe në të cilën do të marrin pjesë ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov, Ararat Mirzoyan i Armenisë dhe Zeihun Bairamov i Azerbajxhanit, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.
Këto bisedime po zhvillohen në sfondin e përshkallëzimit të ri të tensionit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, me Nagorno-Karabakun në sfond. Në 30 vitet e fundit, Baku dhe Jerevani janë përfshirë në dy luftëra. E fundit, në vitin 2020, përfundoi me një fitore të Azerbajxhanit, i cili rimori pjesën më të madhe të territorit rreth Nagorno-Karabakut.
Pavarësisht armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Moska, përleshjet ndodhin në intervale përgjatë kufirit. Javën e kaluar një ushtar azerbajxhanas u vra dhe shumë ushtarë nga të dyja palët u plagosën në përleshjet e reja.
Në të njëjtën kohë, po bëhen përpjekje ndërkombëtare për paqen në rajon. Delegacionet e Armenisë dhe Azerbajxhanit zhvilluan bisedime në Uashington në fillim të majit, ndërsa të dielën e kaluar presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan u takuan në Bruksel. /abcnews