Ministri i jashtëm i regjimit sirian, Faisal Mekdad, mbërriti në Xhide sot, në vizitën e parë në Arabinë Saudite që nga viti 2011, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme saudite tha në një deklaratë se vizita e Mekdadit erdhi pas një ftese nga ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, “për bisedime mbi përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike të krizës siriane që ruan unitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë”.
Në bisedime do të trajtohen gjithashtu mjetet për lehtësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në atdheun e tyre dhe sigurimin e ndihmës humanitare për zonat e prekura në Siri, thuhet në deklaratë.
Vizita e Mekdadit në mbretëri është takimi i parë zyrtar midis dy vendeve që nga shpërthimi i konfliktit sirian në vitin 2011.
Arabia Saudite tërhoqi ambasadorin e saj nga Damasku në vitin 2011 dhe ndërpreu lidhjet e saj diplomatike me regjimin e Bashar al-Assadit, pas shtypjes vdekjeprurëse të protestave prodemokratike.
Regjimi sirian, megjithatë, filloi të shkëmbejë vizita dhe kontakte zyrtare me disa vende arabe në vitet e fundit, ndërsa është raportuar për një rifillim të mundshëm të anëtarësimit të Sirisë në Ligën Arabe me bazë në Kajro.