Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në kuadër të vizitës së tij në Türkiye është takuar me ministren e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, transmeton Anadolu.
Mehaj nëpërmjet rrjeteve sociale tha se fqinjësia e mirë dhe partneriteti mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut “do të vazhdojnë të jenë në nivelet më të larta”.
“Në kornizat e vizitës në Türkiye, kemi zhvilluar takimin me ministren e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska të cilën e falënderova për bashkëpunimin në fushën e sigurisë si dhe për mbështetjen në proceset e përmbushjes së obligimeve tona për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar”, theksoi Mehaj.
Ai tha se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe në NATO është esencial për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. “Në fushën e trajnimeve dhe shkollimeve do të vazhdojmë të punojmë së bashku sipas planit të dakorduar mes ministrive tona”, përfundoi Mehaj.
Ministri Mehaj është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Türkiye. Ai në këtë vizitë është i shoqëruar nga gjeneral Hysen Dreshaj, kolonel Ali Krasniqi, kolonel Astrit Haliti, kolonel Binak Zekaj dhe atasheun e mbrojtjes, kolonel Bekim Zejnullahu.
Gjatë ditës së djeshme Mehaj së bashku me delegacion kanë zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Türkiye-s, Yaşar Güler.