RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ministri kinez i mbrojtjes viziton Rusinë dhe Bjellorusinë

ministri-kinez-i-mbrojtjes-viziton-rusine-dhe-bjellorusine

Ministri i Mbrojtjes së Kinës, Li Shangfu po viziton Rusinë dhe Bjellorusinë, për të treguar mbështetje ndaj dy vendeve që Perëndimi është përpjekur t’i izolojë pas agresionit rus në Ukrainë.

Z. Li u nis këtë të hënë për një udhëtim 6-ditor, gjatë të cilit do të mbajë fjalim në Konferencën e Moskës për Siguri Ndërkombëtarë dhe do të takohet me drejtuesit e mbrojtjes nga Rusia dhe vende të tjera, njoftoi përmes një postimi në rrjete sociale Ministria e Mbrojtjes, që citonte zëdhënësin Wu Qian.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS njoftoi se në konferencë Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov pritet të flasë gjatë diskutimeve me temë “Përpjekjet e vendeve më të mëdha të botës përpiqen për të gjetur rrugë zhvillimi larg mekanizmave Perëndimorë dhe forcimi i një forme të re të bashkimit shumëkombësh”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve, në konferencë janë ftuar të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 100 shtete dhe 8 organizata ndërkombëtare.

I pyetur mbi vizitën e Ministrit Li Shangfu, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme te Kinës, Wang Wenbin iu referua deklaratës së ministrisë së mbrojtjes, por shtoi se udhëheqësit e Kinës dhe Rusisë “kanë mbajtur një komunikim strategjik në forma të ndryshme mbi një numër çështjesh”.

“Të dyja palët patën shkëmbime të pikëpamjeve në nivel të lartë, për një seri çështjesh, duke përfshirë bashkëpunimin dypalësh dhe çështjet me interes të përbashkët,” u tha zëdhënesi Wang gazetarëve në konferencën e përditshme.

“Të dy vendet do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik të bashkëpunimit Kinë-Rusi në epokën e re”, tha ai. Kjo ishte një referencë e dukshme ndaj një deklarate të përbashkët të lëshuar nga presidentit rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping në Pekin vitin e kaluar, pak para agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt, në të cilin ata deklaruan një “miqësi pa kufi”.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi vizitoi Moskën në mars, duke i dërguar një mesazh udhëheqësve perëndimorë se përpjekjet e tyre për të izoluar Moskën pas sulmit në Ukrainë, kishin dështuar.

Pjesëmarrja në konferencë e ministrit Li nënvizon më tej angazhimin e Kinës dhe Rusisë për të harmonizuar politikën e tyre të jashtme, në përpjekje për të minuar vlerat liberale-demokratike të udhëhequra nga Perëndimi, pavarësisht kostove që mund të ketë kjo për ekonominë dhe integritetin e dy vendeve.

Ministri kinez do të zhvillojë edhe një vizitë në Bjellorusi, aleate e ngushte e Rusisë.

Gjatë qëndrimit atij atje, ai do të zhvillojë takime dhe bisedime me udhëheqësit shtetërorë dhe ushtarakë të Bjellorusisë dhe do të vizitojë objektet ushtarake, tha ministria.

Kina pretendon se është e paanshme në konflikt, por ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për provokim të Rusisë dhe ka mbajtur lidhje të forta ekonomike, diplomatike dhe tregtare me Moskën.

Kina e ka mbështetur në mënyrë të fortë Rusinë në kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara që kanë kërkuar dënimin e Moskës në forumet ndërkombëtare për agresionin ndaj Ukrainës, por thotë se nuk do të sigurojë armë për asnjërën palë në luftë. /voa

Related posts

Shefi i Pentagonit: SHBA do të dërgojë ndihmë shtesë të sigurisë në Tajvan

admin

Njësitë elitare të policisë protestojnë nesër para Qeverisë

rezart morina

Policia parandalon kontrabandim të mallrave në Mitrovicë të Veriut

rezart morina