Ministri i Mbrojtjes së Suedisë, Pal Jonson tha se prioriteti më i madh i vendit të tij është anëtarësimi i plotë i vendit në NATO, raporton Anadolu.
Jonson i cili mbërriti në kryeqytetin e Japonisë, Tokio për t’u takuar me homologun e tij japonez, Yasukazu Hamada, mbajti një konferencë për media.
Ai shprehu shpresën lidhur me anëtarësimin e vendit në Aleancë deri në Samitin e NATO-s që do të mbahet më 11-12 korrik në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius. “Prioriteti më i madh i qeverisë së Suedisë është anëtarësimi i plotë në NATO në një kohë më të shkurt”, u shpreh ai.
Johnson tha se respektojnë Turqinë dhe Hungarinë dhe se kanë ligje të reja kundër terrorizmit për të përmbushur shqetësimet e Turqisë. “Ne besojmë se me anëtarësimin e plotë të Suedisë në NATO, krahu verior i Aleancës do të forcohet”, tha ai.
Ministri suedez theksoi se do të vazhdojnë ndihmën e tyre me armë për Ukrainën dhe se kjo është e rëndësishme për ta. Ai potencoi se fitorja e Rusisë në luftën në Ukrainë mund të jetë katastrofike për politikën suedeze dhe evropiane të sigurisë.
Sipas tij, anëtarësimi i vendit të tij në NATO do të përforcojë lidhjet me SHBA-në dhe Japoninë.
Jonson dhe Hamada pritet të takohen nesër.