Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan ndodhet për një vizitë në Kosovë, gjersa pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla tha se shteti i Turqisë mbështet Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe e konsiderojnë me rëndësi të madhe që të qëndrojë në këmbët e saja.
Fidan në një konferencë për media tutje tha se Turqia ka ndihmuar Kosovën për ta arritur pozitën e merituar në arenën ndërkombëtare dhe do të vazhdoje ta ndihmojë.
“E mbështesim Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës dhe e konsiderojmë me rëndësi të madhe që ajo të qëndrojë në këmbët e saja…Mbështetja jonë do të vazhdojë gjithmonë.
Vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë është e një rëndësie të madhe për vendosjen e stabilitetit dhe paqes së përhershme në rajonin e Ballkanit”, tha ministri turk, raporton Telegrafi.
Ai tha Turqia komandon me KFOR-in në Kosovë, ndërsa sipas tij me përmirësimin e kushteve të sigurisë do të hapet hapësirë më e madhe për dialog.
“Në këtë drejtim besojmë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Ne mbështesim përpjekjet për normalizim mes dy vendeve”, tha ai.
Ministri turk Fidan tha se bashkëpunimi në fushën ushtarake ndërmjet Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë fuqishëm në të ardhmen, duke përmendur edhe një marrëveshje të sigurisë.
Ai tutje tha se me homologen Gërvalla kanë biseduar edhe për luftimin e terrorizimit, saktësisht për organizatën Feto.
“Folëm për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO. Prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne… dua t’ju kujtoj se FETO është kërcënim dhe për Kosovë…Këtë organizatë ne duhet ta luftojmë bashkërisht”…” tha ai.
Ministri turk ka folur edhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë.
“Kosovarët nuk janë vetëm miq tanë, po vëllezërit dhe motrat tona. Sigurinë, politikë dhe ekonominë e konsiderojmë si shtylla të bashkëpunimit tonë. Dialogu politik është në nivel të shkëlqyer…”, tha ai.
Sipas tij, investimet e kompanive turke në Kosovë kanë arritur shifrën prej 500 milionë eurove, ndërsa kanë punësuar rreth 10 mijë persona. /Telegrafi/
The post Ministri turk, Fidan: Bashkëpunimi në fushën ushtarake do të vazhdojë fuqishëm, organizata terroriste FETO kërcënim edhe për Kosovën first appeared on Radio Televizioni Iliria.