RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ministria e Arsimit s’e shfrytëzon buxhetin për digjitalizimin e shkollave

ministria-e-arsimit-s’e-shfrytezon-buxhetin-per-digjitalizimin-e-shkollave

Ndonëse janë premtuan 18 milionë euro për digjitalizimin e shkollave, deri tash nuk është shpenzuar asnjë cent nga Ministria e Arsimit. Kjo evidentohet edhe në raportin e Buxhetit për vitet 2023 dhe 2024, ku shihet se nuk është shpenzuar buxheti i ndarë për këtë qëllim. Sipas ekspertëve të arsimit, digjitalizimi do të ishte hap drejt modernizimit të sistemit arsimor.

Në prill të vitit të shkuar, kryeministri Albin Kurti u deklarua se qeveria e tij është e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve për digjitalizimin e sistemit arsimor.

“Ne kemi dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare që në masë të madhe do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla”, ka thënë ai në një tryezë diskutimi për mësimin digjital.

Ka afro dy vjet që ky buxhet i ndarë nga Qeveria, në vlerë prej 6 milionë eurosh për vit, nuk është shfrytëzuar nga Ministria e Arsimit.

Sipas raportit të buxhetit për vitin 2024, asnjë cent nuk është shfrytëzuar në vitin paraprak për blerjen e pajisjeve digjitale për shkollat.

E njëjta situatë vazhdon edhe në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Prokurimit Publik, ende nuk është hapur ndonjë tender nga Ministria e Arsimit për furnizimin e institucioneve arsimore me mjete që do të ndihmonin në mësimin digjital.

Këtë e kanë konfirmuar edhe komunat.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, ka thënë se i ka dërguar në mars të vitit të shkuar kërkesat e shkollave për numrin e pajisjeve teknologjike që nevojiten, por furnizimi nuk është bërë.

“Kemi kërkuar nga drejtorët e shkollave që t’i bëjnë të gjitha kërkesat të cilat kanë qenë të nevojshme për secilën shkollë, qoftë kompjuterë, qoftë llaptopë, projektorë apo gjëra të tjera dhe me marrjen e atyre emailave nga shkollat, në fakt kërkesat që i kanë sjellë në Drejtori të Arsimit… ne diku kah fundi i marsit nëse nuk gaboj ka qenë kur i kemi përcjellë të gjitha kërkesat nga shkolla te Ministria e Arsimit, megjithatë deri në ditët e sotme nuk kemi marr asnjë informacion çfarë ka ndodhur”, ka shtuar Llabjani.

Sipas tij, informacionin e vetëm që e kanë për këtë çështje, është themelimi i një komisionit nga Ministria së bashku me DKA-të.

“Ka qenë një informacion që është formuar, një komision i Ministrisë së Arsimit me Drejtoritë Komunale të Arsimit. Nëse nuk gaboj përfaqësues ka qenë ish-drejtoresha e Arsimit në Prishtinë,

Besianë Musmurati, por që pastaj nuk kemi pasur informacione për çështjen e pajisjeve”, ka thënë ai.
Digjitalizimi i arsimit është një nga pesë shtyllat e Strategjisë së Arsimit.

Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Xhavit Rexhaj, larg është adresimi i të gjitha aspekteve për transformimin e këtij procesi.

“Ne jemi tre hapa prapa asaj që duhet të ishim. Duhet bërë pajisja e shkollave që nuk po ndodh që së paku 5-4 vitet e fundit prej Covidit e këndej. E dyta është aftësimi i mësimdhënësve për përdorimin e atyre pajisjeve dhe mandej atë duhet ta kalojmë në digjitalizim. Digjitalizimi është filozofi, është qasje, procese të organizimit të mësimit dhe që janë të lidhura ngushtë me pajisjet, por që nuk janë vetëm pajisjet”, ka thënë ai.

Për mosshfrytëzimin e buxhetit për blerjen e pajisjeve teknologjike, në Ministri nuk u përgjigjën të mërkurën.

Mungesa e pajisjeve teknologjike nëpër shkolla është theksuar edhe në Strategjinë e Arsimit. Aty është thënë se afro 15 për qind e institucioneve publike të arsimit parauniversitar nuk janë të lidhura me internet. Në shkollat publike është mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.

Related posts

Rreth 50 mijë prindër ende në pritje të mjeteve për subvencionimin e librave shkollor

rezart morina

OBSH: Shpërthimi i lisë së majmunit mund të parandalohet në Evropë

admin

Hasani: Shqipëria, mbështetje të palëkundur për Ukrainën

rezart morina