Përkundër që Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka lëshuar vendimin që përcaktuar nivelin maksimal të çmimeve për karburante për 24-orët e ardhshme, siç duket tregtarët e naftës ende nuk janë duke përfillur këtë vendim për t’i ulur çmimet.
Sipas publikimeve në internet të bërë nga qytetarët, disa kompani që bëjnë shpërndarjen e derivateve, çmimi i naftës dizell për litër vazhdon të jetë 1.91 euro, ndërkaq për benzinë është ende 1.89 euro.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani nuk ka qenë i qasshëm për Telegrafin për të komentuar se a po zbatohet ky vendim nga tregtarët e derivateve.
Njëra nga çmimoret e reja për derivate, publikuar nga qytetarët
Siç njofton MINT, çmimi maksimal i lejuar për naftë është 1.85 euro për litër. Kurse, çmimi maksimal i lejuar për benzinë është 1.74 euro për litër dhe ai për gaz është 0.78 euro.
“Çmimet e lartëcekura vlejnë për datën 27.06.2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24-orë nga data dhe ora e publikimit. Vendimi është marrë bazuar në nenin 5 të Udhëzimit Administrativ 03/2022 për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Qeveria e Kosovës kishte miratuar një Udhëzim Administrativ me të cilin do të përcaktohet çmimi maksimal i lejuar për derivatet. Sipas ministres Rozeta Hajdari ky vendim pritet t’i mbrojë konsumatorët e konkurrencën dhe do të mënjanojë çrregullimet e çmimeve në treg.