RTV AHIRETI
Lajme

Mitrovicë e Veriut, nis peticioni i qytetarëve serbë për shkarkimin e kryetarit të komunës

mitrovice-e-veriut,-nis-peticioni-i-qytetareve-serbe-per-shkarkimin-e-kryetarit-te-komunes

Qytetarë nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut kanë filluar të mbledhin nënshkrimet e 20 për qind të votuesve të kësaj komune për peticionin për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, Erden Atiq, raporton Anadolu.

Dhjetëra qytetarë të cilët presin në radhë për të dhënë nënshkrimet në sallën e sporteve në këtë komunë, u mblodhën që nga ora 09:00 e mëngjesit, ndërsa do të kenë mundësi nënshkrimi deri në orën 3 të pasdites.

Në mesin e tyre, u panë edhe ish-pjesëtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, si dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Sanja Kërtiniq nga iniciativa qytetare për shkarkimin e kryetarit tha se peticioni po shkon me rregull që nga ora 09:00, ndërsa për të marrë pjesë ajo tha se duhet që qytetarët të jenë votues të Mitrovicës së Veriut dhe të kenë letërnjoftim të Kosovës.

“Sot në ora 09:00, salla e sportit në Mitrovicën e Veriut është hapur për qytetarët dhe ju keni qenë dëshmitarë se qytetarët po vijnë në masë të madhe për të nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut. Për të zëvendësuar kryetarin nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime dhe supozimi im është se ne mund t’i mbledhim sot ato”, tha Krtiniq.

Ajo theksoi se që në fillim të këtij procesi ka pasur pengesa nga pushteti aktual komunal, por se kjo ka qenë e mundur me këmbëngulje dhe njohje të procedurës ligjore.

“Ne besojmë se kryetari i komunës është zgjedhur në mënyrë jolegjitime dhe ilegalisht në zgjedhje, ai nuk përfaqëson zërin e shumicës, por as komunitetet e tjera që jetojnë në këtë zonë”, tha Krtiniq në një deklaratë për media.

Në të njëjtën mënyrë me Mitrovicën e Veriut, ka nisur edhe mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok, iniciuesit e peticionit kanë afat deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme, e në Zveçan edhe pesë ditë më shumë.

Në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), kërkohet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga detyra.

Në këtë rast, në Mitrovicën e Veriut, numri i votuesve është 18.199, ku sipas përllogaritjeve 20 për qind e tyre janë gjithsej 3.640 votues. Ndërsa, nëse konfirmohet nënshkrimi i peticionit nga të paktën 20 për qind e votuesve të regjistruar, në procesin e votimit duhet të votojnë pro të paktën 50 për qind, për ta rrëzuar kryetarin.

Udhëzimi Administrativ për shkarkimin e kryetarëve të komunave nëpërmjet peticionit u miratua pasi nëpërmjet protestave, serbë të veriut kundërshtuan zgjedhjen e autoriteteve lokale që morën mandatin në procesin elektoral, i cili u bojkotua nga Lista Serbe, më 23 prill 2023.

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e policisë së Kosovës – në fund të majit 2023, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Bashkimi Evropian (BE) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ofrimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhje të reja me përfshirjen edhe të serbëve lokalë në katër komunat veriore ku u zgjodhën katër kryetarët shqiptarë, ndërsa nga Beogradi ka kërkuar të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në procesin zgjedhor të ardhshëm.

Related posts

Erdoğan: Ndërhyrja e forcave paqeruajtëse të OKB-së në ndërtimin e rrugëve të Qipros Veriore është “e papranueshme”

admin

Vuçiç: U parandalua një tentim për ta kryer çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

admin

Rreth 1.000 xhami u shkatërruan në sulmet izraelite në Rripin e Gazës

admin