Organizata “Mjekët pa Kufij” i bëri thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet “pa bërë dallim” ndaj Gazës dhe ritheksoi nevojën për një armëpushim, transmeton Anadolu.
“Për herë të parë dje, numri i njerëzve të vrarë që mbërritën në spitalin Al-Aksa të mbështetur nga Mjekët pa Kufij e tejkaloi numrin e të plagosurve. 115 njerëz të vrarë në 24 orë”, tha organizata humanitare në X, duke shtuar: “Spitali është i stërmbushur, morgu është i stërmbushur”.
OJQ-ja u kërkoi gjithashtu forcave izraelite të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile.
Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.
Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore ndaj enklavës së bllokuar që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.