RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mocioni i mosbesimit, konsiderohet i pamundshëm rrëzimi i Kurtit

mocioni-i-mosbesimit,-konsiderohet-i-pamundshem-rrezimi-i-kurtit

Iniciativa e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës ka mundësi të mbetet vetëm si ide. Në partinë e Ramush Haradinajt, janë të vetëdijshëm për numrin e votave në Kuvend, por theksojnë se nëse kryeministri Kurti vazhdon me këtë qasje ndaj aleatëve ndërkombëtarë do t’i gjejnë të gjitha mekanizmat që ai të shkojë në shtëpi.

Skeptik për rrëzimin e kryeministrit Kurti në rrethanat aktuale janë edhe në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërkaq në partinë në pushtet konsiderojnë se qeveria është duke bërë punë të mirë dhe është e palëkundshme edhe në Kuvend.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se Kurti ka eskaluar në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçmas me Shtetet e Bashkuara, mirëpo ende nuk i kanë numrat në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Për çështje të tilla ne kemi pasur një dakordancë dhe një koordinim, por ne duhet t’i kemi 61 vota. Nëse çështjet do të kishin eskaluar, pasi është hera e parë e historisë së Kosovës që aleatët i kemi kundër. Kosova për herë të parë është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për neve kjo është e frikshme, tmerrshme dhe papranueshme. Andaj, nëse vazhdon këtë qasje zotëri Kurti, ne duhet t’i gjejmë të gjitha mekanizmat që kjo qeveri të shkojë në shtëpi”, thekson Kadrijaj.

Përkundër që adreson një mori kritikash ndaj kryeministrit Kurti, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu thotë se në rrethanat aktuale është vështirë që ekzekutivi të rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit.

“Do të ishte imagjinuese të mendojmë që ne mund të rrëzojmë kryeministrin edhe pse ai nuk po e kryen funksionin e tij si i pari i vendit në asnjë segment të funksionimit të tij… Por, a i kemi ne mundësitë që aktualisht të rrëzojmë kryeministrin? Ai ka marrë të gjithë fuqinë politike, ka fituar mbi 50 për qind të votave të qytetarëve që të bëjë ndryshimin. Në kohën kur ne i kemi mundësitë të shkarkojmë natyrisht. Kërkesa jonë është që ai t’i kryejë obligimet, të cilat i ka marrë nga qytetarët e Kosovës dhe kurdo që krijohen mundësitë dhe kushtet që ne të shkarkojmë kjo as nuk do të diskutohej. Por, në rrethanat në të cilat ne jemi aktualisht mund të duket vështirë e realizueshme që ne t’i kemi numrat që kryeministri të rrëzohet edhe pse ai është i paaftë, i papërgatitur dhe jokompetent në ushtrimin e funksionimit të tij si kryeministër”, shprehet Deliu.

Kritik ndaj këtyre ideve të opozitës në situatën aktuale është deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo, Haxhi Avdyli.

Ai ngre pyetje ndaj opozitës nëse mocioni do të bëhet në bashkëpunim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Neve na intereson ky mocion a do të bëhet në bashkëpunim me Vuçiqin, Radojçiqin apo me kënd. Dihet se 10 deputetët e Listës Serbe janë deputetë që dirigjohen nga Vuçiqi dhe Radojçiqi, na intereson se a do të jenë pjesë edhe ato e mocionit. Kjo është një kundër pyetje se a janë në bashkëpunim me ta. Në këtë drejtim, unë mendoj se qeveria është duke kryer punën e vet. Ne do të jemi në përkrahje të kësaj qeverie, në punën e saj të mirë, gjithmonë duke respektuar edhe miqtë tanë si garantues të pavarësisë, por edhe shikuar edhe interesin tonë si vend dhe qytetarë”, thekson ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka konsideruar të nevojshme iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas zhvillimeve në veri dhe kundërshtimit të aleatëve ndërkombëtarë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë mandatin e tyre në objektet komunale. Gjithashtu, edhe për vendosjen e disa masave të SHBA-së ndaj Kosovës, ku njëra prej tyre ishte edhe përjashtimi nga “Defender 2023”.

Related posts

Paralajmërohen greva në 3 aeroporte të Gjermanisë për të enjten dhe premten

admin

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, plagosen dy persona

rezart morina

Osmani nga New Yorku: Do ta falënderoj Bidenin për aleancën tonë të fuqishme

rezart morina