Kremlini tha se dokumentet e zbuluara së fundmi, që supozohet të jenë informacione të klasifikuara në lidhje me përgatitjet e Ukrainës për një kundërofensivë, tregojnë përfshirjen e Uashingtonit në luftën kundër Ukrainës.
“Ne nuk kemi as dyshimin më të vogël për përfshirjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të SHBA-së dhe NATO-s në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për CNN.
Ai iu referua një raporti të “The New York Times” rreth dokumenteve që supozohet se kanë lidhje me planet e SHBA-së dhe NATO-s për të ndihmuar ushtrinë ukrainase përpara një ofensive të planifikuar kundër forcave pushtuese ruse.
Megjithatë, është e paqartë nëse dokumentet e përmendura në raport janë të vërteta.
Kievi i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i konsideruar ato si të rreme.
Peskov tha se përfshirja e SHBA-së dhe NATO-s në konflikt po rritej.
“Ne jemi duke e vëzhguar procesin. Dhe sigurisht që kjo komplikon gjithçka, por nuk mund të ketë asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar të operacionit special”, tha ai, duke përdorur terminologjinë e Kremlinit për pushtimin e tij.
Sipas tij, dokumentet e tilla mbështesin pretendimin e Moskës se SHBA-ja po nxit qëllimisht mosmarrëveshjen midis Moskës dhe Kievit, në mënyrë që të përshkallëzojnë konfliktin dhe në këtë mënyrë të dobësojë Rusinë dhe të destabilizojë Evropën.
Por, Kievi tha më herët se dokumentet janë dezinformata ruse, të krijuara nga shërbimet sekrete të Kremlinit për të prishur kundër-ofensivën e pritshme të Ukrainës. /atsh