Kush është Laura Loomer dhe ndryshimi i qëndrimeve të saj
Laura Loomer, një aktiviste amerikane e krahut të djathtë e njohur për përhapjen e teorive të konspiracionit në internet, pranoi gjatë një vizite në Ukrainë se i kishte besuar propagandës ruse për vite me radhë dhe tha se shumë konservatorë amerikanë kishin rënë pre e dezinformimit që vinte nga Moska.
Loomer, e cila shpesh përshkruhet nga mediat amerikane si e afërt me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, ka ndryshuar plotësisht qëndrimin e saj të kahershëm ndaj Ukrainës. Tani ajo po u bën thirrje konservatorëve të jenë të kujdesshëm ndaj propagandës ruse, e cila ajo pretendon se ka mashtruar një pjesë të madhe të së djathtës amerikane.
“Nuk keni pse të dëgjoni podkaste dhe t’i lini ato të formojnë mendimin tuaj për një vend. Mund t’i verifikoni vetë këto fakte”, tha ajo për Associated Press në Kiev, pasi vizitoi zonat pranë vijës së frontit në Ukrainën lindore.
Intervistë në strehë për shkak të sulmit rus
Intervista fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në hotelin e saj, por u zhvendos në strehën nëntokësore të hotelit për shkak të një sulmi të ri me raketa balistike ruse në Kiev.
Edhe pse nuk ka një pozicion zyrtar në administratën Trump, Loomer ende ka ndikim të rëndësishëm mbi presidentin amerikan. Ajo tha se ata folën në telefon pas takimit të saj me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se pret të takohet me Trump pas kthimit të saj në Shtetet e Bashkuara.
Ndryshimi i saj u mirëprit nga zyrtarët ukrainas, marrëdhëniet e të cilëve me Trump kanë qenë të tendosura në disa raste. Në të njëjtën kohë, ajo ka shkaktuar habi, konfuzion dhe dyshim në Shtetet e Bashkuara. Loomer pretendon se Ukraina nuk e financoi udhëtimin e saj.
Ndërsa Trump dhe Zelensky përgatiten të takohen në Uashington, Loomer beson se vizita e saj tashmë ka tërhequr vëmendjen ndaj luftës në një kohë kur Kongresi Amerikan po debaton sanksionet e reja kundër Rusisë.
“Mendova se Ukraina ishte plot me nazistë”
Për vite me radhë, ajo minimizoi shkallën e luftës në Ukrainë dhe përhapi narrativa propagande ruse, por javën e kaluar ajo ndryshoi plotësisht mendje.
“E kuptova se kisha rënë pre e propagandës ruse dhe kisha besuar shumë të pavërteta rreth Ukrainës. Më parë mendoja se ky vend ishte plot me nazistë”, i tha ajo Zelensky-t gjatë një interviste për emisionin e saj në platformën Rumble.
Ajo fajësoi “indoktrinimin” e saj për faktin se mediat sociale amerikane i bllokuan profilet, prandaj iu drejtua Telegram-it, ku, sipas saj, përmbajtja nga mediat ruse ndahet masivisht.
“Rusët janë shumë të mirë në shfrytëzimin e pakënaqësisë së njerëzve dhe unë isha shumë e zemëruar në atë kohë”, tha ajo, duke kujtuar periudhën pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat ajo ende pretendon se ishin manipuluar në dëm të Donald Trump.
Ajo tha se filloi të ndryshonte mendje kur vuri re se disa podkasterë, përfshirë Tucker Carlson, po “i kthenin shpinën Presidentit Trump”, ndërsa mesazhet e tyre po amplifikoheshin nga burimet ruse.
Loomer, e cila e përshkruan veten si gazetare e pavarur, i tha AP se beson që ndryshimi i saj tashmë po ndikon në mendimet e njerëzve brenda lëvizjes “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri” të Trump.
“Njëqind për qind. Marr mesazhe gjithë ditën nga njerëz në media, nga politikanë dhe nga ndjekësit e mi që më shkruajnë duke thënë se nuk e dinin se sa shumë ishin mashtruar ose se ua hapa sytë”, tha ajo.
Ndërsa ishte në Ukrainë, ajo u takua me Zelensky-n, zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas dhe rabinin kryesor të Ukrainës.
Ajo vizitoi gjithashtu Katedralen e Fjetjes në kompleksin Kiev-Pechersk Lavra, e cila ishte shënjestra e një sulmi rus muajin e kaluar.
Trump ndan një regjistrim të bisedës
Ndërsa disa e kanë minimizuar ndikimin e saj tek presidenti amerikan, Trump ka treguar vazhdimisht se i vlerëson pikëpamjet e saj. Ajo udhëtoi me të herë pas here gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, dhe vitin e kaluar, disa nga stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare u pushuan nga puna pasi Loomer shprehu dyshime për besnikërinë e tyre gjatë një takimi në Zyrën Ovale.
Trump ndau një regjistrim të bisedës së saj me Zelensky-n në mediat sociale, me komentin: “Shumë mirë!”
Loomer ka një histori të gjatë të përhapjes së teorive të konspiracionit. Ajo më parë ka ndarë video duke pretenduar se sulmet terroriste të 11 shtatorit ishin një “punë e brendshme” dhe pretendon se emigrantët haitianë në shtetin amerikan të Ohajos po hanin qen dhe mace. Ky pretendim u përsërit më vonë nga Trump gjatë një debati presidencial.
Edhe pse ajo ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj pushtimit rus të Ukrainës, pikëpamjet e saj kontraverse ndaj grupeve të tjera nuk kanë ndryshuar. Të shtunën, ajo shkroi në mediat sociale se i pëlqeu që “nuk pashë asnjë mysliman në Ukrainë” dhe se e gjeti atë “freskuese”.
“Lufta informative mund të jetë më shkatërruese se lufta klasike”
Në një intervistë me Associated Press, ajo paralajmëroi për ndikimin e madh të podkasterëve të cilët, sipas saj, përhapin dezinformim.
“Ata kanë arritur të shtrembërojnë pikëpamjen e njerëzve për botën deri në atë pikë sa ata nuk janë më në gjendje të analizojnë në mënyrë racionale tema të caktuara sepse varen nga ajo që të tjerët do t’u thonë të mendojnë”, tha ajo, duke vlerësuar se është një “kërcënim i madh për sigurinë kombëtare”.
Ajo beson se lufta informative mund të jetë më shkatërruese se çdo konflikt ushtarak klasik dhe i bëri thirrje administratës Trump të marrë më seriozisht propagandën ruse, ndërhyrjen e huaj dhe operacionet e ndikimit.
“Mendoj se disa nga udhëheqësit tanë janë të ndikuar nga propaganda”, paralajmëroi ajo.
Së fundmi, ajo përsëriti se Ukraina nuk e kishte financuar vizitën e saj.
“Mund t’ju garantoj se askush nuk më pagoi. Qeveria ukrainase sigurisht që nuk pagoi për vizitën time. Nëse e gjitha kjo është gënjeshtër, pse do ta rrezikoja jetën time? Aktualisht ndodhem në një strehë bombash. Mezi kam fjetur këtë javë”, përfundoi ajo.

