RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Mungesa e vendkalimit rrezikon qytetarët në Veternik

mungesa-e-vendkalimit-rrezikon-qytetaret-ne-veternik

Rruga që shpie nga Prishtina në drejtim të Gjilanit, saktësisht në lagjen në Veternik në Prishtinë, paraqet rrezik të madh për qytetarët. Kjo ngaqë, një pjesë e tyre përgjatë ditës kalojnë mbi pengesa për të dalë në anën tjetër të rrugës, sepse nuk ka vendkalim për këmbësorë.

E numri i aksidenteve që ndodhin në këtë rrugë, nuk është i vogël, shkaku i mungesës së mbikalimit apo nënkalimit, të cilat shihen si zgjidhje për këtë rrugë.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti deklaroi seorganet kompetente është dashur që të ndërhyjnë sa më parë në rrugën në Veternik dhe jo të pritet që të ndërtohet një mbikalim.

Ai tha se në dhjetë vjetët e fundit, si pasojë e aksidenteve, në këtë rrugë kanë humbur jetën 1 mijë e 317 persona, që është quajtur “Dekada e përgjakshme”.

“Në mungesë të mbikalimit, ndodhin aksidentet për arsye se në të dy anët e rrugës, ka biznese që duhet të ndërlidhen mes vete gjatë tërë ditës, por edhe natën. Si rezultat i kësaj është dashur që organet kompetente të ndërhyjnë sa më parë dhe jo të pritet që të ndërtohet një mbikalim, pastaj për afro 10 kilometra mos të ketë më asnjë ndërtim fare dhe gjendja të jetë e mjerueshme. Arsyeja veç po dihet që këmbësorët nuk kanë mundësi të lëvizin prej njërës anë në anën tjetër të rrugës, dhe si rezultat po ndodhin aksidentet…. Për dhjetë vitet e fundit i kemi 1317 viktima që ka qenë dekada e përgjakshme, është quajtur dhe si rezultat kryesor ka qenë pikërisht shpejtësia e lartë e lëvizjes”, u shpreh Ahmeti.

Sipas tij, zgjidhja për këtë rrugë është dashur të bëhet atëherë kur kanë filluar punimet për zgjerimin e rrugës dhe jo sipas tij, të merren masa kur të ndodhin aksidente.

“Kjo rrugë është dashur të shkojë paralel. Atëherë kur është bërë zgjerimi i rrugës dhe mbikalim apo nënkalim dhe jo të pritet pasi të na ndodhin disa aksidente, të marrim masa në këtë aspekt… Ne i përshtatemi shpejtësisë së lëvizjes, problemi kryesor është problemi subjektiv, ngasësi ai i cili duhet ta përshtatë shpejtësinë e lëvizjes, e një prej problematikave kryesore është mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes”, tha ai.

Eksperti i komunikacionit nënvizoi se vendosja e vendkalimit për këmbësorë në këtë rrugë nuk është zgjidhje. Zgjidhja e vetme sipas tij, është mbikalimi ose nënkalimi.

“Zebra nuk bën sepse kjo është rrugë nacionale. Nuk ka mundësi për zebra, në qoftë se i vendosim zebrat, pastaj duhet t’i shoqërojmë me sinjalizimin vertikal dhe ka mundësi edhe të mos i respektojnë ngasësit. Zebrat zakonisht nuk bëhen në rrugë nacionale dhe regjinonale. Mbikalim dhe nënkalim, nuk ka mundësi tjetër”, potencoi ai.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë 24-orëve të fundit kanë ndodhur 28 aksidente trafiku me të lënduar dhe 31 aksidente trafiku me dëme materiale.

Ndërkohë, në muajin maj të vitit 2020, është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet ish-ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, në të cilën në fokus ka qenë ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë në lagjen Veternik. Por, kanë kaluar gati tri vjet dhe punimet për ndërtimin e këtij mbikalimi ende nuk kanë nisur. Në njoftimin për kontratë të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik është bërë e ditur ky ndërtim do të kushtonte mbi 1 milion euro.

Related posts

Liga Arabe: OKB të detyrojë Izraelin të respektojë vendimet e GJND-së

rezart morina

Sulm me bombë në një treg në Siri, raportohet për 7 persona të vrarë dhe disa të plagosur

admin

Erdoğan: Iz’raeli dhe mbështetësit e tij janë përgjegjës për çdo vd’ekje në Ga’za

rezart morina