RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Liga Arabe: OKB të detyrojë Izraelin të respektojë vendimet e GJND-së

liga-arabe:-okb-te-detyroje-izraelin-te-respektoje-vendimet-e-gjnd-se

Liga Arabe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të detyrojë Izraelin të zbatojë masat e përkohshme të marra nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), transmeton Anadolu.

Këshilli i Ligës Arabe, me kërkesë të Palestinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme në nivel të delegatëve të përhershëm në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.

Përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës, ambasadori Muhannad Al-Aklouk, në një fjalim të mbajtur këtu tha se ushtria izraelite si përgjigje ndaj vendimit të GJND-së ka kryer 18 masakra të reja në Rripin e Gazës dhe ka shkaktuar vdekjen e 174 personave dhe plagosjen e 310 të tjerëve.

Al-Aklouk u bëri thirrje vendeve që kanë pezulluar përkohësisht fondin e siguruar për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), që të heqin dorë nga këto vendime të tyre.

Në një deklaratë me shkrim pas takimit, institucioneve rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë KS-OKB-në si dhe të gjitha vendeve iu bë thirrje që të detyrojnë Izraelin të zbatojë vendimet e GJND-së për masat e përkohshme. Në deklaratë theksohet se përjetimet në Rripin e Gazës që nga njoftimi i vendimit të GJND-së e deri më tani, tregojnë se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në politikat agresive të Izraelit.

Ndërsa në një deklaratë tjetër thuhet se kundërshtohet vendimi nga disa palë për pezullimin e financimit të siguruar për UNRWA-në dhe kërkohet që vendimi të rishikohet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi të hetohet menjëherë pretendimi i autoriteteve izraelite se personeli i UNRWA-së është përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Gjithashtu edhe UNRWA ka filluar hetim kundër pretendimeve të Izraelit.

Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Australia, Britania, Holanda, SHBA-ja dhe Franca njoftuan se kanë marrë vendim të pezullojnë përkohësisht mbështetjet e tyre financiare ndaj UNRWA-së.

Related posts

Biserko: Veriu i Kosovës është çerdhe e krimit, Lista Serbe nuk përfaqëson serbët

rezart morina

Numri i paqeruajtësve të OKB-së që largohen nga Mali kalon 3 mijë

admin

Gjermania dhe Indonezia forcojnë marrëdhëniet ushtarake

rezart morina