Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava dhe kryeimami Vedat ef. Sahiti, vizituan Mitrovicën, me ç’rast u pritën në takim nga kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza.
Myftiu Tërnava u njoh nga i pari i Mitrovicës për gjendjen e krijuar pas vërshimeve të shiut, për dëmet e shkaktuara te banorët, xhamitë dhe objektet përcjellëse.
Kryetari Hamza falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për kontributin e dhënë në kultivimin e vlerave të larta të solidaritetit dhe paqes, e në veçanti për angazhimin që ka treguar Shoqata “Bereqetit” për të ndihmuar të prekurit nga vërshimet.
Myftiu Tërnava tha se BIK-u do të vazhdojë angazhimin në kultivimin e solidaritetit, teksa një thirrje për solidaritet do të bëhet nesër në të gjitha xhamitë e Kosovës për të prekurit nga vërshimet.
Myftiu Tërnava dhe kryeimami Sahiti, së bashku me kryetarin e Këshillit të BI-së së Mitrovicës, Enis ef. Rama, vizituan xhaminë “Bajram Pasha Isa Beg”, e cila pësoi dëme të konsiderura nga vëshimet.