NATO vazhdoi mbështetjen e saj për Turqinë pasi 600 kontejnerë të përkohshëm strehimi u nisën për në zonat e goditura nga tërmetet, tha aleanca ushtarake, transmeton Anadolu.
“Një anije tregtare me 600 kontejnerët e parë të NATO-s për strehim të përkohshëm për Turqinë nga gjithsej mbi 1.000 – u largua nga porti i Tarantos në Itali të dielën në mbrëmje”, tha NATO në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet se dërgesa do të sigurojë strehim të përkohshëm për të paktën 4.000 njerëz të prekur nga tërmetet e fundit shkatërruese.
“Pritet të arrijnë në Iskenderun javën e ardhshme, kurse ngritja e kampit pritet të fillojë pasi pajisjet të shkarkohen dhe të dorëzohen në vend”, theksohet më tej.
Ndërkohë, NATO tha po ashtu se po koordinon transportin strategjik ajror të tendave nga Pakistani në Turqi.
Në shenjë solidariteti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vizitoi Turqinë të enjten dhe pati bisedime me presidentin Recep Tayyip Erdoğan.
Sipas shifrave të fundit zyrtare, të paktën 41.020 njerëz kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë jugore më 6 shkurt.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 me epiqendër në Kahramanmaraş goditën 11 provinca, duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.