RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Ndahen 3.9 milionë euro nga BE-ja për deminim në Kosovë

ndahen-3.9-milione-euro-nga-be-ja-per-deminim-ne-kosove

Sot në Graçanicë në një manifestim të hapur zyrtarisht është shënuar fillimi i projektit të deminimit në vlerë prej 3.9 milionë euro, financuar nga Bashkimi Evropian. Partnerët zbatues janë HALO Trust dhe Ndihma Popullore Norvegjeze (NPA), me NPA që udhëheq këtë projekt i cili do të merret me pastrimin e bombave kasetore dhe mjeteve të tjera shpërthyese nga zonat e kontaminuara.

“Edhe pse është arritur progres i konsiderueshëm në aktivitetet e pastrimit të minave, minat vazhdojnë të jenë një kërcënim për banorët dhe jetesën, duke penguar qasjen, pajtimin dhe zhvillimin në Kosovë,” tha Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Suksesi i këtij projekti jo vetëm që do të kontribuoj në një Kosovë të pastruar nga minat, por gjithashtu do të hapë rrugën për zhvillim socio-ekonomik në zonat e kontaminuara më parë. Përvoja e suksesshme e përpjekjeve të përbashkëta midis BE-së, SHBA-së dhe Norvegjisë tregon një model të suksesshëm bashkëpunimi mes donatorëve në dobi të komuniteteve në Kosovë dhe mund të ketë një ndikim pozitiv në sigurinë dhe zhvillimin socio-ekonomik të komuniteteve të Kosovës”.

Që nga viti 1999, financimi për këto aktivitete jetike drejtohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze. Gjatë dy dekadave të fundit, puna humanitare e HALO Trust dhe NPA në Kosovë është mbështetur edhe nga qeveritë e Japonisë, Zvicrës, Belgjikës dhe Holandës.

“Ne jemi të përkushtuar për një Kosovë pa mina dhe ky program do të na sjellë një hap më afër këtij qëllimi. Këto aktivitete të deminimit janë kritike për sigurinë e njerëzve dhe gjithashtu kanë një rol kyç për stabilitetin në rajon si dhe për zhvillimin e tij”, tha Tamra Gregg, ushtruese e detyrës së shefit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Si pjesë e këtij projekti, do të pastrohen 400,000 metra katrorë tokë të kontaminuar nga minat si dhe 3,600,000 metra katrorë tokë të kontaminuar nga municionet kasetore, me qëllimin përfundimtar për t’i ofruar komuniteteve lokale qasje të sigurt në ato zona. Këto zona të kontaminuara janë të shpërndara në rezervate natyrore, male, pyje, kullota dhe toka bujqësore, gjë që pengon qasjen në shërbime jetike, burime natyrore dhe hapësira ku mund të zhvillohet turizmi dhe aktivitetet sociale. Për më tepër, përmes kësaj iniciative perveq tjerash do të bëhet edhe promovimi i përfaqësimit gjinor dhe të komuniteteve si dhe i diversitetit kulturor dhe dialogut.

“Që nga vitet ’90, Norvegjia është mbështetëse e aktiviteteve të deminimit të zbatuara nga Norwegian People’s Aid në Ballkanin Perëndimor dhe deri më sot ka dhënë ndihmë në vlerë prej më shumë se 70 milionë euro. Norvegjia është e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen deri sa puna të përfundojë. Prandaj, 2 milionë euro shtesë janë dhënë për një periudhë 5-vjeçare deri në vitin 2025 – me qëllim që të pastrohen zonat e kontaminuara me mina, mbetje të municioneve kasetore dhe mbetjeve të mjeteve tjera shpërthyese të luftës, në mënyrë që kto zona ti rikthehen komuniteteve lokale në Kosovë për përdorim të sigurt dhe në menyrë produktive”, tha Hilde Berit Eide, Zëvendëskryetare e Misionit të Ambasadës Norvegjeze në Kosovë.

Përmes ketij granti, NPA dhe HALO do të pastrojnë një siperfaqe prej 4 km2 të zonës së kontaminuar. Ata do të rrisin kapacitetet e tyre operative me 30% me fondet nga BE për zgjerimin e operacioneve në vezhgim dhe pastrim. Operacionet do të kryhen në zona si Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë, Belincë Rastavicë dhe Kosharë.

Përveç pjesëmarrjesve të delegacioneve nga Ambasadat e BE-së, SHBA-së dhe Norvegjisë, prezent ishin edhe Drejtori i Bashkëpunimit për Zhvillim nga Zyra e Kryeministrit, Florim Canolli, Shefi i Grupit për Menaxhim të Kërcënimeve nga Eksplozivëve pranë KFOR-it, Ciprian Andrica, anëtarë të Ekipit të Ndërlidhës për Monitorimit pranë KFOR-it, përfaqësues nga komuna e Gracanicës si dhe përfaqësues nga Qendra e Veprimit për Deminin në Kosovë (QKD).

BE do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për pastrimin e minave dhe bombave kasetore në të gjithë Kosovën gjatë tre viteve të ardhshme, duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë njerëzore dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa e përafron Kosovën një hap më pranë qëllimit strategjik për të qenë e pastruar nga minat dhe nga mbetjet e municionit kasetorë.

Projekti Veprimi për Deminim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë gjatë tre viteve të fundit midis BE-së në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, Norwegian People’s Aid (NPA) si dhe HALO Trust.

Related posts

BE ngre padi kundër Hungarisë në gjykatën e lartë mbi ligjin për mbrojtjen e sovranitetit të vendit

rezart morina

“100 mijë njerëz u detyruan të shkojnë në rajonin kufitar me Egjiptin për shkak të sulmeve izraelite”

rezart morina

Programi Botëror i Ushqimit të OKB-së do të vazhdojë sërish aktivitetet në Sudan

admin