Ka ateruar në aeroportin e Prishtinës aeroplani me të cilin janë kthyer nga Turqia pjesëtarët e FSK-së që ndihmuan në operacione të kërkim-shpëtimit.
Sipas transmetuesit publik në aeroport pjesëtarët janë pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Me të arritur ata janë nderuar me medalje nga FSK-ja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar ushtarët e FSK-së për guximin e treguar.
“Këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes sonë dhe mirënjohjes për guximin që keni treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike, që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës. E di që 39 pjesëtarë të FSK-së ishin në Hatay e zona tjera të goditura nga tërmeti. I falënderoi sikurse ata që ishin në kërkim-shpëtim urban, po ashtu edhe mjekët edhe ata që u kujdesën për të plagosurit. E dimë se së paku janë shpëtuar 4 jetë nga ana e juaj, dhe mbi 50 kufoma janë nxjerrë nga rrënojat në Hatay nga ju. Është obligim i yni humanitar, por edhe detyrë e jona si partnere e aleate e shtetit dhe popullit mik të Turqisë, që t’u gjendemi në ndihmë në ditë të vështira”, ka thënë Kurti.
Asi ka thënë se lidhja e Kosovës dhe Turqisë është forcuar edhe më tej.
“Misioni u realizua nëpërmjet jush, që pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve në Turqi e qëndruat deri tash duke u përpjekur me krejt çka dini e mundeni, që të shpëtoni jetë e të nxirrni njerëz nga rrënoja. Padyshim populli i Kosovës e Republika jonë i ka forcuar edhe mëtej lidhjet e saj me popullin e Republikën e Turqisë”, ka thënë Kurti.