Ndotja e ajrit përbën një rrezik më të madh për shëndetin global sesa pirja e duhanit ose konsumimi i alkoolit dhe ky rrezik përkeqësohet në rajone të caktuara të botës si Azia dhe Afrika, detajon një studim.
Sipas këtij raporti nga Instituti i Politikave të Energjisë të Universitetit të Çikagos (EPIC) mbi cilësinë globale të ajrit, ndotja e grimcave të imta – e emetuar nga automjetet, industria dhe zjarret – përbën “kërcënimin më të madh të jashtëm për shëndetin publik” në botë.
”Por, pavarësisht këtij vëzhgimi, fondet e akorduara për luftën kundër ndotjes së ajrit përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të atyre, për shembull, të dedikuara për sëmundjet infektive”, thekson raporti.
Ndotja e grimcave të imta rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të mushkërive, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru ose kancerit.
”Pajtueshmëria e përhershme me pragun e ekspozimit të grimcave të imta të vendosur nga OBSH do të rriste jetëgjatësinë globale me 2,3 vjet”, vlerëson EPIC, bazuar në të dhënat e mbledhura në 2021.
Për krahasim, përdorimi i duhanit ul jetëgjatësinë globale me një mesatare prej 2,2 vjetësh dhe kequshqyerjen e fëmijëve dhe nënave me 1,6 vjet.
– Azia dhe Afrika –
Në Azinë Jugore, rajoni i botës më i prekur nga ndotja e ajrit, efektet në shëndetin publik janë shumë të theksuara.
Sipas modeleve EPIC, banorët e Bangladeshit – ku niveli mesatar i ekspozimit ndaj grimcave të imta vlerësohet në 74 μg/m3 – mund të fitojnë 6,8 vjet jetëgjatësi nëse pragu i ndotjes do të ulej në 5 μg/m3, niveli i rekomanduar nga OBSH-ja.
Kryeqyteti i Indisë, Nju Delhi, është “megalopoli më i ndotur në botë”, me një normë mesatare vjetore prej 126,5 μg/m3.
Anasjelltas, Kina ka “bërë përparim të jashtëzakonshëm në luftën e saj kundër ndotjes së ajrit” të nisur në vitin 2014, nënvizon Christa Hasenkopf, drejtore e programeve të cilësisë së ajrit në EPIC.
”Kështu, ndotja mesatare e ajrit në vend është ulur me 42,3% midis 2013 dhe 2021, por mbetet gjashtë herë më e lartë se pragu i rekomanduar nga OBSH. Nëse ky progres vazhdon me kalimin e kohës, popullsia kineze duhet të fitojë mesatarisht 2,2 vjet jetëgjatësi”, vlerëson EPIC.
”Por, në përgjithësi, rajonet e botës më të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit janë ato që marrin më pak mjete për të luftuar këtë rrezik”, thekson raporti.
”Ka një hendek të thellë midis vendeve ku ajri është më i ndotur dhe atyre ku më së shumti burime janë shpërndarë kolektivisht dhe globalisht për të zgjidhur këtë problem”, shpjegon Christa Hasenkopf.
Nëse ekzistojnë mekanizma ndërkombëtarë për të luftuar HIV-in, malarjen apo tuberkulozin, si Fondi Global që shpërndan katër miliardë dollarë në vit në luftën kundër këtyre sëmundjeve, nuk ekziston asnjë ekuivalent për ndotjen atmosferike.
”E megjithatë, ndotja e ajrit zvogëlon jetëgjatësinë mesatare të një personi në DRC (Republika Demokratike e Kongos) dhe Kamerun më shumë se HIV, malaria dhe të tjerat”, thekson raporti.
– Zjarret në Kanada –
Në SHBA, programi federal Clean Air Act ka ndihmuar në uljen e ndotjes së ajrit me 64,9% që nga viti 1970, duke lejuar që jetëgjatësia mesatare e amerikanëve të rritet me 1,4 vjet.
Në Evropë, përmirësimi i cilësisë së ajrit gjatë dekadave të fundit ka ndjekur dinamikën e asaj të vërejtur në SHBA, por pabarazitë e thella vazhdojnë midis lindjes dhe perëndimit të kontinentit.
Të gjitha këto përpjekje kërcënohen, ndër të tjera, nga shumëzimi i zjarreve në pyje në mbarë botën – të shkaktuara nga rritja e temperaturave dhe shtimi i episodeve të thatësirës, të lidhura me ndryshimet klimatike – dhe që shkaktojnë kulmin e ndotjes së ajrit.
Në vitin 2021, sezoni historik i zjarreve në Kaliforni, për shembull, rezultoi në ndotje të ajrit në qarkun kalifornian të Plumas të rendit pesëfishin e kufirit të pragut të rekomanduar nga OBSH.
Zjarret që shkatërruan Kanadanë në verën e vitit 2023 shkaktuan kulmin e ndotjes në Quebec dhe Ontario, dhe në disa rajone të SHBA. /atsh