RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Në Bruksel nis takimi trepalësh i dialogut

ne-bruksel-nis-takimi-trepalesh-i-dialogut

Në Bruksel, pasditen e 15 majit ka nisur takimi trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Rundi i ri i dialogut pritet të ketë në fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

Paraprakisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi./REL

Related posts

Zv. kryeministri, Besnik Bislimi: Serbia të mbajë përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë

admin

Planet e Gjermanisë për të ndërtuar bunkerë të rinj lufte, por sa funksionale janë?! Do t’i kushtonin qeverisë 140.02 miliardë euro

admin

Shuma deri në 7000 dollarë, familjet në Iran akuzojnë autoritetet se po u kërkojnë para për t’u dorëzuar trupat e të vrarëve në protesta

admin