Në Kosovë ka filluar dhënia e terapisë për parandalimin e infeksionit para ekspozimit ndaj virusit HIV.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Vishaj tha se terapia ka filluar të jepet nga data 12 qershor, dhe se këtë terapi mund ta marrin të gjithë qytetarët që kanë jetë aktive seksuale.
“Ka filluar nga data 12 qershor të jepet terapia. Është e hapur një herë në javë, të gjithë ata që duan të marrin shërbimin mund ta marrin falas. Personat që kanë jetë aktive seksuale mund ta kryejnë këtë shërbim. Për të qenë marrëdhënie më e sigurt duhet të merret terapia”, tha ai.
Në vitet e fundit në Kosovë ka pasur rritje të numrit të personave të prekur nga HIV/AIDS.
Numri i të prekurve me HIV të regjistruar në Klinikën Infektive që nga janari e deri tash është 10 raste të reja, por ka informata që ka edhe raste të tjera të reja që pritet të vijnë.
Ndryshe, HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar – mburoja e trupit kundër baktereve dhe viruseve me të cilat është në kontakt të vazhdueshëm. Simptomat e HIV-it janë ethet, dhimbja e kokës, lodhja, nyje limfatike të fryra, dhimbje të fytit dhe skuqje. HIV mund të bartet nga personi në person vetëm përmes lëngjeve trupore, si gjaku, sperma, dhe lëngu vaginal.
HIV është gjendja që çon në sindromin e mungesës së imunitetit të fituar (AIDS). AIDS konsiderohet të jetë faza finale e HIV, e njohur gjithashtu si HIV i fazës 3. Me trajtim, shumica e personave që kanë HIV nuk kanë gjasa që të zhvillojnë AIDS.