RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Në veri rryma përgjysmë më lirë

ne-veri-rryma-pergjysme-me-lire

Pagesa paushall për energjinë elektrike që është vendosur për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri po konsiderohet diskriminuese për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Mesatarisht në Kosovë një konsumator shtëpiak paguan 50 euro në muaj, ndërsa në veri do të paguhet 21 euro e 60 centë. Qytetarët serbë e shqiptarë në pjesën veriore kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fillimit të pagesës së rrymës.

Faturat paushall të rrymës në vlerë prej 21 euro e 60 centësh, që do t’u shkojnë qytetarëve në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serbë, janë vlerësuar diskriminuese për pjesën tjetër të qytetarëve në Kosovë.

Në kompaninë “Elektrosever” nuk dhanë sqarime se si është përllogaritur dhe përcaktuar shuma prej rreth 21.6 eurosh në faturat e shpenzuesve të rrymës në veri.

E në pjesën tjetër të vendit, sipas një njoftimi të KESCO-s, nga dhjetori i shkuar, fatura mesatare për konsumatorë shtëpiakë e kap vlerën mesatare prej 50 eurosh në muaj.

Dallimi në fatura për qytetarë të një shteti, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përbën diskriminim në baza etnike.

“Ky është vazhdim i diskriminimit në baza etnike. Është diskriminim, sepse qytetarët jashtë komunave veriore paguajnë deri në 300 euro për rrymën që shpenzojnë ndërsa ata në veri shpenzojnë pa kontroll dhe të paguajnë vetëm 21 euro e 60 centë në muaj është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Institucionet nuk e kanë treguar as vullnetin më të vogël që të krijojnë njëfarë barazie midis qytetarëve që janë pagues të rregullt dhe atyre që nuk paguajnë fare rrymë”, ka thënë Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Këtë javë, “Elektrosever” njoftoi se ka nisur shpërndarjen e faturave për muajin shkurt, por qytetarë të shumtë në disa lagje të Mitrovicës së Veriut thanë se ende nuk i kanë pranuar ato.

Shpërndarja e faturave nuk u pohua as nga vetë punonjësit e “Elektroseverit”.

“Nuk e di për besë”, ka thënë një nga ta.

Ani se thanë që nuk i morën faturat, qytetarët serbë theksuan që do të paguajnë për rrymën e shpenzuar.

“Epo…. kur të vijë fatura, të gjithë, e edhe unë do ta paguaj. Po, pse jo”, ka thënë një qytetar serb.

“Kur të vijë fatura do ta paguaj. Nuk e di sa është vlera, nuk kam lidhje. As paushalli nuk e di sa është”, ka theksuar një tjetër.

“Ne jemi qytetarë të zakonshëm dhe është gjë normale, siç ka qenë para lufte, edhe tash duhet të jetë sepse ne jemi duke e shpenzuar atë energji”, ka theksuar një serb i veriut.

E, një qytetare serbe nga kjo pjesë, e ndërlidhi pagesën e faturës me çështjen e dinarit.

“Nëse na jepni dinarët, atëherë do ta paguajmë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, disa nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë shprehën rezervë.

“Nëse ju vijnë, a keni me pagu? Pa pasur një dokument me e ditë që është e vërtetë jo”, ka thënë një nga qytetarët shqiptarë.

“A din kur? Ishalla kurrë, s’e kam nijet. Me qenë në buxhet të Kosovës po”, ka thënë një tjetër.

“Elektrosever” ka nisur faturimin me rrymë që nga janari, porse për këtë muaj nuk është bërë shpërndarja e faturave.

Në Kompaninë Elektrosever nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet se pse nuk është shpërndarë fatura e muajit janar, se kush do ta mbulojë koston e shpenzimeve të janarit dhe se sa do të zgjasë pagesa paushall.

Për 20 mijë konsumatorët që KEDS-i ka konfirmuar se i ka veriu, shuma totale e faturave të janarit, me paushallin prej 21 eurosh e 60 centësh, do të ishte 432 mijë euro.

Mbi përgjegjësitë e mbulimit të kësaj kostoje, përgjigje në pyetjet e KOHËS nuk dhanë as nga KEDS-i e as nga KOSTT-i.

Related posts

Dallavere të mëdha me pagesa nga “Visametric”, Inspekcioni zbarkon në zyret e tyre

rezart morina

OKB: Mbi 10.500 civilë janë vrarë në Ukrainë

admin6

Modernizohen turbinat e KEK-ut, Kurti: S’do të ketë nevojë për riparime të shpeshta

rezart morina