RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Në veri vendosen dy barrikada të reja

ne-veri-vendosen-dy-barrikada-te-reja

Në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Kërshi i Dudës, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.

Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, tha Policia.

Ky lokacion gjendet në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve, që është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Ndërkaq, barrikada e vendosur te Kërshi i Dudës pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.

Barrikada në Lagjen e Boshnjakëve është e para e vendosur brenda ndonjë qyteti në veri, që kur disa serbë lokalë nisën bllokimin e rrugëve më 10 dhjetor. Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se”bandat kriminale që mbështeten nga Serbia” qëndrojnë pas barrikadave. Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqë barrikadat.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Related posts

Stano: BE e gatshme të organizojë takimin Kurti -Vuçiq, kur të ketë kushte

rezart morina

Krim në familje, vëllai vret vëllanë dhe kunatën, policia jep detajet

admin

Irani dhe Kuvajti diskutojnë për “marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon”

admin