RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Në Zagreb mbahet takim mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes

ne-zagreb-mbahet-takim-mes-kroacise,-shqiperise-dhe-kosoves-ne-fushen-e-mbrojtjes

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë, në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe të nënshkruar në mars 2025 nga ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, u mbajt takim trepalësh në nivelin e drejtorëve të politikave të mbrojtjes dhe armatimeve, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, takimi i mbajtur më 30 janar në Zagreb, përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.

Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.

Deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

Në këtë kuadër, sipas ministrisë, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Related posts

OBSH bën thirrje për ‘veprim të menjëhershëm’ kundër shurupeve të falsifikuara: Më shumë se 300 vdekje të fëmijëve

admin

Biserko: Veriu i Kosovës është çerdhe e krimit, Lista Serbe nuk përfaqëson serbët

Muhamet Ramadani

Hyn në fuqi prej 1 qershorit faza e tretë e Ligjit për punësim në Gjermani, përfitojnë edhe kosovarët

admin