RTV AHIRETI
Lajme

Në Zvicër u promovua libri “Muhamedi a.s., Profeti Islam”

ne-zvicer-u-promovua-libri-“muhamedi-as.,-profeti-islam”

Falë bashkëpunimit të mirë ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, të shtunën, më 27 maj 2023, në ambientet e xhamisë shqiptare në Regensdorf të Zvicrës, u promovua libri “Muhamedi a.s., Profeti Islam”, i autorit Imam Vehbi Ismailit.

Në këtë promovim mori pjesë edhe një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës, i përbërë nga drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, drejtori për Veprimtari Botuese në BIK, Ramadan Shkodra dhe Bashkim ef. Mehani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, Mehas ef. Alija, falënderoi mysafirët dhe njëkohësisht theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me institucionet si motra në vendlindje për të vazhduar më tej në pasurimin e bibliotekave me kërkime dhe studime islame, gjë e cila ngelet si një trashëgimi për brezat e ardhshëm dhe njëkohësisht një sadaka rrjedhëse për kontribuuesit e kësaj fushe. Njëkohësisht ai shprehu falënderimet e tij për të gjithë shqiptarët në Zvicër të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vyera në këtë fushë. Ai gjithashtu falënderoi të gjithë organizatorët dhe të pranishmit në këtë aktivitet.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, në kumtesën e tij me temë: “Shëmbëlltyra e Pejgamberit Muhamed a.s. në edukimin e fëmijëve”, theksoi rëndësinë e edukimit të rinisë dhe brezave të ardhshëm, gjë e cila është një domosdoshmëri për një rini dhe të ardhme të sigurt dhe të shëndoshë. Ai  gjithashtu tha se kjo arrihet duke mësuar rreth jetës së Pejgamberit Muhamed a.s., i cili ishte modeli më i mirë për mbarë njerëzinë.

Drejtori i Veprimtarisë Botuese në BIK, Ramadan Shkodra, në fjalën e tij u përqendrua në rëndësinë e botimit të këtij libri, duke thënë se ky libër ka rëndësi të veçantë, sepse është shkruar nga një autor shqiptar, i cili emigroi në ShBA dhe dha një kontribut të çmuar për komunitetin shqiptar në Detroid, ngjashëm me të gjithë imamët që sot shërbejnë në Zvicër apo në shtetet e tjera perëndimore. Gjithashtu ai tha se ky libër është botuar në vitet e 60-ta, vite kur Shqipëria, e izoluar nga komunizmi, e kishte ndaluar fenë, por edhe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare vazhdonte censura sllavo-komuniste. Së treti, ky libër është trajtuar në formën e tregimeve të cilat autori ia tregon mbesës së tij. Ai njëkohësisht shprehu rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve tona.

Në kumtesën e tij me titull “Veprimtaria e qendrave islame dhe e imamëve në Zvicër në fushë e botimeve islame”, dr. Bashkim ef. Aliu, vlerësoi punën e kryer nga shumë xhami dhe qendra islame të cilat kanë sponsorizuar botimin e shumë librave në gjuhën shqipe dhe atë gjermane. Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e shumë imamëve që shërbejnë në Zvicër, të cilët janë autorë të mbi 40 botimeve të tyre si autorë dhe njëkohësisht mbi 60 libra të përkthyer vetëm në këto 20-të vitet e fundit.

Në fund, Bashkim ef. Mehani, bëri një paraqitje vizuale të disa botimeve të fundit nga shtëpia botuese “Dituria Islame” pranë BIK-ut.

Në përfundim të kësaj ceremonie, kryetari i Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër, Mehas ef. Alija, shpërndau mirënjohje për penalistët dhe mysafirët.

Related posts

Vendosja e pengesave me drunj e gozhda afër pikës kufitare në Bërnjak – deklarohet Prokuroria

rezart morina

Noizy në burg, Stresi-Ramës: Reago për shokun tonë. Albulena Haxhiu për një ngatërresë lëshon urdhër ndërkombëtar

admin

Fitimet e bankave thyejnë rekord, përfituan nga kriza

admin