RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nënshkruhet marrëveshja me MCC-në që i sjell Kosovës 202 milionë dollarë

nenshkruhet-marreveshja-me-mcc-ne-qe-i-sjell-kosoves-202-milione-dollare

Në një ceremoni të organizuar nëambientet e Kongresin amerikan, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice P. Albright dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënshkruan marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë sigurohen nga MCC dhe rreth 35 milionë dollarë nga Qeveria e Kosovës, kurse programi do të përqendrohet në projekte të energjisë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryeshefja ekzekutive e MCC, Alice P. Albright, foli për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje në sektorin e energjisë.

Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

“Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright, raporton Telegrafi.

Ndërsa nikoqir në këtë ceremoni ishin Gregory Meeks, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në, ka thënë se Republika e Kosovës sot është sovrane dhe një demokraci e gjallë.

“Kjo marrëveshje është dëshmi se ne jemi bashkë në kohëra të vështira e të bukura. SHBA vazhdon të të përkrahë. Siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë. Ky investim në Kosovë ndoshta mund të kthehet në investimin më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave. Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetikë dhe punësimin e grave në vendin tonë. Gratë janë në qendër të kësaj iniciative për të fuqizuar sektorin e energjisë”, tha presidentja Osmani.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

Por, çfarë përfitimesh konkrete do të ketë Kosova nga ky program?

Rezerva të energjisë përmes baterive

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.

Përmes baterive mëtohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milion persona pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Gjatë sezonit të dimrit, kur rritet kërkesa për energji elektrike, konsumatorët shpenzojnë deri në 1.300 megavate në ditë, ndërkaq kapaciteti i prodhimit të dy termocentraleve në Obiliq, Kosovës A dhe B, arrin deri në 800 megavate. Pjesa tjetër e kërkesës për energji mbulohet nga importi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka thënë se më 2021, vendi ka importuar 1.311.461 megavate rrymë.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më 5 korrik se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind.

Norma e brendshme e kthimit tregon për përfitimet ekonomike të një projekti krahasuar me koston e tij.

Po ashtu, nga ky projekt, MCC-ja vlerëson se mund të ketë edhe përfitime të tjera, të tilla si kursimet për shërbimet e mundshme shtesë, rregullimin e tensionit të rrymës, por edhe ajër më të pastër.

Projekti për fuqizimin e grave në sektorin e energjisë

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

ipas MCC-së, në Kosovë niveli i punësimit të grave është 14.1 për qind, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon dhe botë. Ndërkaq, gratë afariste përbëjnë vetëm dhjetë për qind, krahasuar me 33 për qind të nivelit të afaristeve gra në botë dhe rajon.

Projekti i Katalizatorit për Zhvillim

Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë.

Fondet e MCC-së do të përdoren për të hequr rrezikun e investimeve të DFC-së në sektorin privat, teksa DFC-ja do të jetë përgjegjëse që t’i mbikëqyrë investimet.

Në koordinim mes MCC-së, DFC-së dhe Qeverisë së Kosovës, përmes këtij projekti synohet që, po ashtu, të identifikohen edhe investime të tjera të mundshme në Kosovë.

Kosova, e cila vitin e fundit është prekur nga kriza energjetike që përfshiu Evropën, prodhon mbi 90 për qind të rrymës nga mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit. Ndërsa, pjesa tjetër e energjisë elektrike prodhohet nga burime të ripërtërishme, sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Related posts

Blloku i Afrikës Qendrore pezullon anëtarësimin e Gabonit pas grushtit të shtetit

rezart morina

“Të mos gënjejmë veten, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë”-Paralajmërimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes: Rrezikohet e gjithë siguria jonë nëse…

admin

Lajçak: Më 2 maj fillon krijimi i Asociacionit

rezart morina