Pyetja:
Nëse një person ka folur ose ka vepruar diçka që sheriati e konsideron shirk dhe ky person nuk është në dijeni të saj e vazhdon jetën si musliman me namaz e vepra të mira dhe dikur kupton që ajo fjalë a vepër e tij është shirk dhe për shkak të saj tejkalon situatë të rëndë psiqike për shkak të frikës së ka dalë nga feja si e gjykon Islami këtë rast?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!
Është e vërtetë se Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuran: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij (shirkun), por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm.” (Nisa: 48)
Por, është Allahu i Cili ka thënë në ajetin tjetër: “Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.” (Furkan: 71)
Kurse Profeti i fundit për njerëzimin, Muhamedi ﷺ, na ka treguar se Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij, ashtu siç gëzohet një njeri që është nisur në një udhëtim nëpërmes shkretëtirës, dhe me vete ka pasur një deve mbi të cilën kishte ngarkuar çdo gjë që i duhej. Kështu, pasi bie në një vend të pushojë, deveja i ikën bashkë me të gjitha ushqimet, ujin dhe gjërat e tjera. Pas njëfarë kohe, me t’i humbur shpresat për jetë, pas kërkimit të devesë për një kohë të gjatë, ai bie për të pushuar në një vend duke pritur vdekjen. Ndërkohë, zgjohet nga gjumi dhe sheh devenë e tij pranë vetes, e bashkë me të gjitha gjërat që kishte në të. Atëherë, nga gëzimi i papërshkrueshëm që e kaploi, tha: “O Allah, ti je robi im, e unë jam Zoti yt,” gaboi nga gëzimi i madh.[1] Pra, Pejgamberi ﷺ e krahasoi gëzimin e madh të këtij personi, me gëzimin e Allahut kur një rob i Tij i kthehet i penduar.
Ajo që ju e keni përshkruar në pyetjen tuaj më jep të kuptoj se ju, edhe nëse keni bërë një vepër që konsiderohet shirk, ju e keni bërë atë pa pasur dituri për dispozitën e saj, gjë që duhet të të qetësojë dhe ta largojë shqetësimin. Allahu nuk e ngarkon robin me gjëra për të cilat nuk ka dituri. Nëse dikush bie në një vepër shirku pa e ditur, i mjafton pendimi, kërkimfalja Allahut të Gjithëmëshirshëm dhe largimi i tërësishëm nga ajo vepër. Kurse mendimi se Allahu nuk ka për ta falur atë është mendim i gabuar ndaj Allahut, i Cili e ka filluar Kuranin me fjalët: “Mëshirëploti, Mëshiruesi”. Allahu, po ashtu ka thënë, duke cituar fjalët e profetit Ibrahim ﷺ: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur?!” (Hixhr: 56) Kurse Jakubi ﷺ, duke mos humbur asnjëherë shpresën tek Zoti i tij, tha: “Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb kush, përveç jobesimtarëve.” (Jusuf: 87)
Zaten, shumica e sahabëve, shokëve të afërt të Pejgamberit ﷺ, para se të bëheshin muslimanë kishin bërë vepra shirku, por kur erdhi Islami, ua fshiu të gjitha mëkatet e tyre përmes pendimit të tyre me futjen e tyre në Islam. Madje, me pendim Allahu ua kthen robërve të Tij veprat e këqija në vepra të mira.
Një gjë tjetër që ne si besimtarë duhet ta kuptojmë mirë është se, jo çdoherë frika që ndiejmë ndaj gjërave që na rrethojnë është reale. Feja Islame është e ndërtuar mbi frikën dhe shpresën, shtuar kësaj edhe dashurinë ndaj Allahut e cila të shtyn drejt shpërblimit të Tij. Andaj, sa herë që frika ia tejkalon shpresës, njeriu nuk është sjellë me Allahun ashtu siç kërkohet prej tij, dhe sa herë që shpresa ia tejkalon frikës, prapë ka qenë i padrejtë ndaj vetvetes dhe nuk është sjellë ashtu siç Allahu do. Së këndejmi, për t’i menaxhuar më drejt këto situata dhe për ta kuptuar se kur duhet të merret seriozisht frika dhe kur jo, kërkohet prej besimtarit që të mësojë më shumë rreth fesë së Tij, për t’i kuptuar më drejt gjërat që Allahu i kërkon prej tij dhe gjërat që i urren.
Allahu nuk do prej robit të Tij që ai të kalojë në gjendje të vështira psikike për shkak të një gjynahu që ka vepruar. E si të mos jetë kështu kur njeriu është krijuar mëkatar. Pejgamberi ﷺ na mësoi se më i miri mëkatar, respektivisht, më i miri njeri, është ai që pendohet, ngase të gjithë bijtë e Ademit janë të këtillë. Kurse Allahu i Gjithëmëshirshëm thotë në Kuran: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm.” (Nisa: 147)
Allahu e di më së miri!
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
Hekuran Helshani
————————————————————-
[1] Parafrazim; Muslimi në Sahihun e tij, me numër 2747.