RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Nesër priten diskutime për draft-statutin e Asociacionit që Kurti nuk e ka parë

neser-priten-diskutime-per-draft-statutin-e-asociacionit-qe-kurti-nuk-e-ka-pare

Nesër priten diskutime për draft-statutin e Asociacionit që Kurti nuk e ka parë
Albin Kurti – Aleksandar Vuçiq – Dialogu Kosovë-Serbi – Josep Borrell – Miroslav Lajçak
Foto: Arkiv

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë tema kryesore në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në prag të takimit, Kurti ka thënë se nuk e di se çfarë drafti do ta prezantojë Bashkimi Evropian, teksa është zotuar se nuk do t’i jepet kurrfarë pushteti ekzekutiv komunitetit serb në Kosovë. Marrë parasysh qëndrimet e palëve, analistët presin mospajtime të forta në takimin e së martës.

Nënshkrimi i deklaratës për personat e zhdukur nga lufta e fundit dhe draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, janë çështjet për të cilat do të diskutohet në takimin e së martës në Bruksel. Ky do të jetë takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, pas Marrëveshjes së Ohrit më 18 mars.

Në prag të takimit, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka takuar Kurtin për të diskutuar rreth detajeve të takimit. Diplomati sllovak e ka përshkruar takimin e 2 majit veçanërisht të rëndësishëm.

“Me t’u kthyer në Bruksel, pata një nga shkëmbimet e mia të rregullta me socialdemokratët në Parlamentin Evropian, të cilët ndjekin nga afër rajonin dhe rregullisht udhëtojnë dhe ndërveprojnë me Ballkanin. Dhe e mbylla javën time me diell, ku mora pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit në qytetin antik të Delfit. Greqia, si një fqinj i Ballkanit, e njeh dhe e kupton mirë rajonin dhe prandaj forumi i kushtoi vëmendje të veçantë të ardhmes së rajonit. E informova mikun tim të mirë, ministrin e Jashtëm, Nikos Dendias për zhvillimet e fundit të dialogu. U takova me kryeministrin Albin Kurti për t’u përgatitur në detaje për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë më 2 maj, i cili do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”, ka shkruar Lajçak.

Lidhur me draftin që është paralajmëruar të prezantohet të martën, kryeministri Kurti në një intervistë për mediumin kroat “Hina” ka thënë se nuk e ka parë atë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

E zyrtarët serbë kanë thënë se Kurti sërish do t’i shmanget temës së Asociacionit, për të cilin insistojnë që udhërrëfyes të jenë marrëveshjet nga dialogu i kaluar. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka akuzuar Kurtin se çdo ditë krijon kriza të reja, me qëllim që ta largojë vëmendjen te problemet në terren për të ardhur në përfundim se ende nuk ka kushte për formimin e Asociacionit.

“Ata sigurisht presin që serbët të dëbohen dhe të mos ketë nevojë për Asociacionin e Komunave Serbe. Serbia ka qëndrim të prerë. Ne do të jemi me popullin tonë në Kosovë. Para takimit të nesërm, një gjë është e sigurt – Serbia do të jetë konstruktive dhe presidenti Vuçiq është i gatshëm për atë takim”, ka deklaruar Daçiq.

Duke iu referuar qëndrimeve të palëve, njohës të procesit presin mospajtime të forta rreth Asociacionit.

“Sa i përket takimit nuk pritet që të ketë ndonjë marrëveshje në lidhje me draftin e Asociacionit. Ndërkohë, pritet që të adoptohet deklarata e përbashkët për personat e pagjetur. Mirëpo për çështjen e asociacionit kërkesa është që të fillohen diskutimet. Por fillimi i këtyre diskutimeve nuk sjellë një pajtim të menjëhershëm. Pres që të ketë mos pajtime mjaft të forta në lidhje me natyrën e asociacionit”, ka theksuar analisti Seb Bytyqi.

Për t’u siguruar se marrëveshjet do të zbatohen, zyra e përfaqësuesit të lartë të BE-së ka paralajmëruar të vendosë baraspeshë në zbatimin e ujdive, sipas logjikës, që secila duhet të japë diçka për të marrë diçka tjetër.

Related posts

Myftiu Tërnava mori pjesë në duanë e hatmes së maturantëve të Medresenë “Alauddin” në Prishtinë

admin

Një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan, çfarë tregojnë hetime për avionin e linjës Britani-Singapor që u godit nga turbulencat

admin

Rritet në 77 numri i dëshmorëve të Azerbajxhanit si pasojë e provokimeve të Armenisë

admin