Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendohet se ka refuzuar planin e SHBA-së për “normalizim me Arabinë Saudite në këmbim të rrugës që shkon drejt shtetit për palestinezët”, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të NBC News me qendër në SHBA, të cilin e bazon mbi zyrtarët amerikanë të nivelit të lartë, thuhet se ndarja mes administratës Biden dhe Netanyahut lidhur me qëndrimin e Izraelit në sulmet kundrejt Gazës, është bërë edhe më e dukshme kohët e fundit.
Thuhet se kërkesat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar Netanyahut janë refuzuar plotësisht, përveç një “qasjeje në drejtimin se nuk i hapin luftë Hezbollahut”.
Bëhet e ditur se në vizitat e Blinken gjatë turit në Lindjen e Mesme, liderët e vendeve arabe kanë deklaruar se do të mbështesin një qeveri “të re dhe të reformuar” palestineze për të garantuar sigurinë e Gazës.
Në lajm gjithashtu përfshihet edhe deklarata e zyrtarëve amerikanë që Arabia Saudite në kuadrin e marrëveshjes për të rindërtuar Gazën ka “propozuar normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, po që kjo do të jetë në këmbim nëse Netanyahu pranon të garantojë rrugë që shkon drejt shtetit të Palestinës”.
Ndërsa thuhet se Netanyahu e ka refuzuar këtë propozim duke u shprehur se “nuk është gati për marrëveshjen që lejon shtetin e Palestinës”, bëhet e ditur se zyrtarët në lidhje me liderin izraelit janë shprehur se ai “nuk do të jetë atje përgjithmonë”.
– SHBA-ja po përgatit bazë për periudhën pas Netanyahut
Zyrtarët kanë theksuar se administrata Biden po përpiqet të vendosë bazat me politikanët dhe organizatat e shoqërisë civile izraelite në kuadër të pritjes për një qeveri të mundshme pas Netanyahut.
Ndërsa shembull për këtë u dhanë takimet kokë më kokë që Blinken zhvilloi me anëtarët e kabinetit të luftës izraelite si dhe me ish-kryeministrin izraelit dhe liderin e opozitës kryesore, Yair Lapid.