RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Netanyahu kushtëzon rindërtimin e Gazës me çarmatimin

netanyahu-kushtezon-rindertimin-e-gazes-me-carmatimin

Izraeli nuk do të lejojë rindërtimin e Rripit të Gazës para se të çarmatoset, tha kryeministri Benjamin Netanyahu të martën vonë, transmeton Anadolu.

Komentet e tij erdhën gjatë një konference për media në zyrën e tij në Kudsin Perëndimor një ditë pas njoftimit për gjetjen e eshtrave të kryerreshterit Ran Gvili, i fundit nga 251 pengjet e marra në Gaza më 7 tetor 2023 nga grupi palestinez Hamas dhe aleatët e tij.

Netanyahu e ka përdorur prej kohësh këtë çështje si justifikim për moszbatimin e fazës së dytë të planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për enklavën palestineze.

Të hënën, ushtria izraelite gjeti eshtrat e Gvilit pasi ekzaminoi 250 trupa në një varrezë në Gazën veriore.

“Tani jemi të përqendruar në arritjen e dy objektivave të mbetura së bashku: çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës. Ka vetëm dy mundësi, rruga e lehtë ose rruga e vështirë dhe ne nuk do të lejojmë rindërtimin e Gazës para se të çarmatoset”, tha Netanyahu.

Për rihapjen e pikës kufitare të Rafah-ut, ai tha: “Ne ramë dakord ta hapim pikën kufitare vetëm për individë dhe në numër të kufizuar dhe kushdo që hyn ose del do t’i nënshtrohet inspektimit izraelit”.

Mes spekulimeve se SHBA-ja mund të nisë sulm ndaj Iranit, gjë që mund të shkaktojë hakmarrje, Netanyahu tha: “Nëse Irani bën gabim të rëndë dhe sulmon Izraelin, ne do të përgjigjemi me një forcë që nuk e ka parë kurrë më parë”.

Netanyahu anuloi të martën një takim informues për sigurinë me udhëheqësin e opozitës Yair Lapid mbi Iranin dhe Gazën, duke përmendur axhendën e tij të ngjeshur, sipas mediave izraelite.

Për mbajtjen e zgjedhjeve sipas planit dhe miratimin e projektligjit të buxhetit mes një krize me hebrenjtë ultra-ortodoksë (Haredim), Netanyahu tha se “Kjo është ajo që shpresoj dhe për të cilën po punoj. Gjëja e fundit që i duhet Izraelit tani janë zgjedhjet”.

Partitë Haredi në Knessetin (Parlamentin) e Izraelit kanë refuzuar të votojnë për projektligjin e buxhetit para miratimit të një ligji për rekrutimin ushtarak që përjashton anëtarët e komunitetit të tyre nga shërbimi ushtarak.

Nëse buxheti nuk miratohet deri në mars, Knesseti do të shpërbëhet dhe do të thirren zgjedhje të parakohshme.

Related posts

Një javë pas tërmetit, Maroku bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare

admin

Forcat izraelite vrasin një palestinez dhe plagosin 3 të tjerë në Bregun Perëndimor

Muhamet Ramadani

Siri, grupi terrorist SDF rifillon sulnmet ndaj lagjeve të banuara në Halep

admin