Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u nis fshehurazi drejt Washingtonit nga Baza Ajrore Nevatim në jug të Izraelit, para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, sipas mediave izraelite, transmeton Anadolu.
“Times of Israel” raportoi se zyra e Netanyahut konfirmoi nisjen e tij vetëm pasi avioni i tij ishte ngritur pak para orës 13:00 me kohën lokale nga baza ajrore pranë Beersheba-s.
Fluturimi fillimisht ishte planifikuar të nisej në orën 11:00, por u vonua për rreth dy orë. Zyra e Netanyahut nuk dha shpjegime për vonesën apo arsyen pse ai u nis nga një bazë ushtarake dhe jo nga Aeroporti Ben Gurion pranë Tel Avivit.
Sipas raportit, asnjë gazetar nuk e shoqëroi Netanyahun në bordin e avionit shtetëror “Wing of Zion”.
Më herët të hënën, në orën 10:54 sipas kohës lokale, ushtria izraelite njoftoi se kishte interceptuar dy mjete ajrore pa pilot (UAV) “të identifikuara në zonën e kufirit me Jordaninë”.
Në një deklaratë, ushtria tha se UAV-të “nuk kishin hyrë në territorin izraelit” dhe se origjina e lëshimit të tyre ishte ende duke u shqyrtuar.
Më vonë, ushtria e Jordanisë njoftoi se forcat e saj ajrore kishin interceptuar dhe rrëzuar dy dronë që synonin mbretërinë, duke thënë se operacioni nuk shkaktoi viktima apo dëme materiale.
Netanyahu tha të dielën se planifikon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York, pavarësisht thirrjeve për arrestimin e tij nga kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani.
Të martën e kaluar, Mamdani e quajti Netanyahun “kriminel lufte” dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane të zbatojë urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) ndaj tij nëse ai hyn në SHBA.
Trumpi, megjithatë, premtoi se Netanyahu “nuk do të arrestohet” gjatë vizitës së tij në SHBA.
GJPN-ja lëshoi në nëntor të vitit 2024 urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, ku më shumë se 73.000 persona janë vrarë gjatë ofensivës izraelite që nga tetori i vitit 2023.

