Sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu po shtyn planet për të zbatuar “emigrimin vullnetar” të palestinezëve në Gaza drejt vendeve të tjera, transmeton Anadolu.
Sipas të përditshmes ‘Israel Hayom’, Netanyahu e bëri komentin gjatë një seance parlamentare me dyer të mbyllura me ligjvënësit e partisë së tij ‘Likud’.
“Problemi ynë janë vendet që janë të gatshme t’i absorbojnë (ato) dhe ne po punojmë për këtë”, tha Netanyahu.
Danny Danon nga partia ‘Likud’ gjatë seancës parlamentare se ka vende që në fakt e ngritën këtë çështje, përfshirë ministrin kanadez të Emigracionit, Marc Miller dhe ish-ambasadoren e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, e cila synon nominimin e Partisë Republikane të SHBA-së për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Danon shtoi se Izraeli duhet të formojë një komitet për të ndjekur çështjen për të siguruar që kushdo që dëshiron të shkojë në një vend të tretë të mund ta bëjë këtë.
Në disa raste, SHBA-ja, vendet arabe dhe vendet evropiane kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj imponimit të çdo forme të “emigrimit të detyruar” ndaj palestinezëve në Gaza.
Pala palestineze, përfshirë Autoritetin Palestinez dhe grupin Hamas, ende nuk kanë komentuar mbi deklaratën e raportuar izraelite.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, sipas shifrave të autoriteteve shëndetësore në enklavë, duke vrarë të paktën 20.674 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 54.536 të tjerë.
Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha, me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.