RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ne’tanyahu thotë se nuk pranon marrëveshje që i jep fund lu’ftës në Ga’zë

ne’tanyahu-thote-se-nuk-pranon-marreveshje-qe-i-jep-fund-lu’ftes-ne-ga’ze

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.

Në një intervistë të transmetuar të dielën mbrëma në kanalin izraelit 14, i cili është proliderit izraelit, Netanyahu tha se është i gatshëm të bëjë “marrëveshje të pjesshme – kjo nuk është diçka e fshehtë – e cila do të na i kthente neve disa prej njerëzve”, duke iu referuar rreth 120 pengjeve që po mbahen ende në Gazë.

“Por, ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar luftën pas një pauze, në mënyrë që ta përmbushim synimin tonë për eliminimin e Hamasit [grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE]. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga kjo”, theksoi Netanyahu.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu (majtas), ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant (në mes), dhe ministri i kabinetit Benny Gantz, në një konferencë shtypi në bazën ushtarake Kirya në Tel Aviv, Izrael, më 28 tetor 2023.
Komentet e fundit të Netanyahut nuk dallojnë shumë nga ajo çfarë kishte thënë ai në të kaluarën për kushtet që kërkonte për një marrëveshje.

Megjithatë, ai i bëri ato në një kohë të ndjeshme, sepse Izraeli dhe Hamasi duket se po largohen çdo herë e më shumë nga propozimi më i fundit për armëpushim.

Komentet e Netanyahut gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit dhe të cilit disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”.

Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, aleatit kryesor të tij.

Plani me tri faza kërkon lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në shkëmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur në Izrael. Por, ka mosmarrëveshje dhe mosbesim mes Izraelit dhe Hamasit për mënyrën se si do të zbatohej marrëveshja.

Hamasi ngul këmbë se nuk do t’i lirojë pengjet e mbetura, nëse nuk ka armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza. Kur Bideni e njoftoi propozimin në fund të majit, tha se marrëveshja i përfshin të dyja këto.
Por, Netanyahu thotë se Izraeli është i përkushtuar për ta shfarosur Hamasin dhe për t’u siguruar se ky grup nuk do të kryejë kurrë më sulm një më 7 tetor.

Plani përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës me një plan shumëvjeçar për rindërtimin e Gazës, e cila është rrënuar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë. /rel

Related posts

Në Serbi arrestohen 13 të dyshuar për kontrabandë të gjashtë tonëve kokainë

rezart morina

Mbreti i Jordanisë: Lufta barbare e Izraelit po krijon një brez jetimësh në Gaza

rezart morina

Vrau shokun për 20 euro borxh, autori dënohet me 24 vjet e 10 muaj burg

admin