Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur “tragjedi të papërballueshme” vrasjen e tre pengjeve izraelitë të cilët ushtria tha se i ka vrarë “gabimisht” gjatë luftimeve në Gaza, transmeton Anadolu.
“Së bashku me gjithë popullin e Izraelit, përkul kokën me pikëllim të thellë dhe mbaj zi për rënien e tre djemve tanë të dashur që u morën peng”, shkroi Netanyahu në “X” të premten.
“I gjithë shteti i Izraelit mban zi këtë mbrëmje”, tha ai, duke shtuar se do të nxirren “mësimet e nevojshme”.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant gjithashtu i përshkroi vrasjet si “të dhimbshme për çdo izraelit”.
“Ne duhet të qëndrojmë rezistentë dhe të vazhdojmë të veprojmë – për pengjet, për qytetarët tanë dhe për ushtarët tanë”, tha ai.
Ndërkohë, familjarët e pengjeve izraelitë në Gaza u mblodhën të premten pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv pas njoftimit për vrasjet.
Zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari tha se ushtarët izraelitë vranë “gabimisht” tre pengje gjatë luftimeve në Gaza.
Ai e përshkroi ngjarjen si “tragjike” dhe tha se ushtria “mbart përgjegjësinë”.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore si hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Të paktën 18.800 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 51.000 janë plagosur në sulmet izraelite, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1.200, ndërsa më shumë se 130 pengje ende mbahen nga grupi palestinez në Gaza, sipas shifrave zyrtare.