Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka deklaruar se nga e mërkura (nesër), gjashtë ekipe do të dalin në terren për të bërë shkyçjen e bizneseve dhe të amvisërisë që s’kanë paguar borxhet e kompanisë.
Mjeku ka thënë të martën në SOT të KTV-së, se shkyçja bëhet me asistencën e Policisë, në tetë komunat ku KRU “Prishtina” menaxhon me furnizimin me ujë të pijshëm.
“Mbi 45 milionë euro është shuma e borxhit që qytetarët dhe bizneset kanë ndaj shërbimeve të ujësjellësit. Nga dita e nesërme (mërkurë) do të vazhdojmë me ekipe të shkyçjes. Do të fillojmë nga shkyçjet e bizneseve të mëdha dhe të mesme. Do të fillojmë me aksion me 6 ekipe në terren të shkyçjes në tetë komuna që i menaxhojmë. Që konsumatorët t’i shmangen dërgimit të lëndës te përmbaruesi privat dhe që t’i shmangen shkyçjes, duhet të paraqiten në zyrën për konsumatorë, të bëjnë pagesë të borxhit”, ka thënë ajo.
Sipas Mjekut, qytetarët që s’kanë gjendje të mirë ekonomike, mund të paguajnë 10 për qind të borxhit, e më pas ta riprogramojnë atë me këste mujore prej 12 deri në 36 për qind në muaj.
Zëdhënësja e kësaj kompanie u shpreh se aktualisht niveli i ujit në Liqenin e Batllavës ka arritur nivelet maksimale, ndërsa situatë e rënduar sipas saj, mbetet në Liqenin e Badovcit.
“Në gjendje më të rënduar e kemi nivelin e ujit në Liqenin e Badovcit, që është minus 8 metra nën kuotën maksimale. Nëse kemi mungesë të reshjeve na pret një verë e vështirësuar, sidomos për zonat që furnizohen me ujë nga sistemi i Badovcit, por po shpresojmë që muajt janar dhe shkurt të sjellin reshje të borës dhe të shiut ,që sadopak të zbusin nivelin e ujit në Badovc. Problemet ishin shfaqur vetëm në Shkabaj, ku ishte turbulluar në Kanalin e Ibrit, por atë e rregulluam dhe tash për tash kemi furnizim stabil”, u shpreh ajo.
Mjeku ka theksuar se nga janari ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po merren me riparimin e defekteve në sistemin e rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimeve.
“Një dukuri shqetësuese është vjedhja e kapakëve të pusetave të kanalizimit. Disa prej tyre i kemi vendosur, por disa prej tyre është duke i vendosur edhe komuna e Prishtinës”.