RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ngrohja globale kthen miliona njerëz në emigrantë klimatik

ngrohja-globale-kthen-miliona-njerez-ne-emigrante-klimatik

Organizata Ndërkombëtare për Emigracion (IOM) parashikon se deri në vitin 2050 mund të ketë nga 44 milionë deri në 216 milionë emigrantë klimatik.

Ekspertët sugjerojnë se derisa ndikimet e krizës klimatike intensifikohen, emigrimet klimatike brenda vendit mund të bëhen më të shpeshta.

Ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave globale po çojnë në fatkeqësi të ndryshme natyrore në shumë rajone të botës.

Pasojat shkatërruese të fatkeqësive natyrore dhe ngjarjeve ekstreme të motit po i detyrojnë njerëzit të emigrojnë në zona më të sigurta.

Sipas një raporti të vitit 2022 nga IOM-i, gjatë dekadës së fundit mesatarisht 21,6 milionë njerëz në nivel global duhej të emigronin brenda vendeve të tyre për shkak të vështirësive që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike.

Raporti paralajmëron se në dekadën e ardhshme rreziqet e ndryshimeve klimatike janë në rritje në nivel global, me rreth 1 miliard njerëz që pritet të përballen me çështje si rritja e nivelit të detit, përmbytjet, thatësirat, temperaturat ekstreme dhe siguria ushqimore.

Sipas raportit, nga viti 2012 deri në vitin 2021 rajonet më të prekura nga ngjarjet e motit të lidhura me ndryshimet klimatike ishin Azia Lindore dhe Paqësori, Azia Juglindore, Afrika Sub-Sahariane, Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, si dhe Evropa dhe Azia Qendrore.

Raporti thekson se miliona njerëz u prekën nga fatkeqësitë e lidhura me klimën në rajone të ndryshme, respektivisht në Azinë Lindore dhe Paqësor (mbi 10 milionë), Azinë Juglindore (mbi 8 milionë), Afrikën Sub-Sahariane (mbi 2 milionë), Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut (mbi 2 milionë), si dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (pothuajse 2 milionë).

Raporti thekson se në Evropë dhe Azinë Qendrore, ku lëvizshmëria njerëzore e lidhur me krizën klimatike ishte më e ulët, pothuajse 2 milionë njerëz duhej të përballeshin me fatkeqësitë e përmbytjeve.

– Skenarët optimistë dhe pesimistë

Raporti thekson se numrat mund të ndryshojnë në bazë të nivelit të ngrohjes globale dhe rritjes së popullsisë. Ai thotë se nga 44 milionë deri në 113 milionë njerëz pritet të emigrojnë brenda vendeve të tyre deri në vitin 2050.

Megjithatë, sipas një skenari pesimist me ndryshime më të rënda klimatike, ky numër mund të arrijë midis 125 milionë dhe 216 milionë.

Raporti gjithashtu rendit rajonet me lëvizshmërinë njerëzore më të lartë të parashikuar deri në vitin 2050, përkatësisht vendet e Afrikës Sub-Sahariane, Azinë Lindore dhe Paqësorin, Azinë Jugore, Azinë Veriore, Amerikën Latine, Evropën dhe Azinë Qendrore.

Raporti thekson se rritja e nivelit të detit mund të çojë në 750 mijë emigrantë klimatik në brigjet e Afrikës Lindore nga vitit 2020 deri në vitin 2050. Një rritje e nivelit të detit prej 0,44 metrash mund të rezultojë në 730 mijë emigrantë klimatik, ndërsa një rritje prej 2 metrash mund të çojë në 2,1 milionë emigrantë klimatik deri në vitin 2100.

– Arsyet që detyrojnë emigrantët klimatik të zhvendosen

Melike Dedeoğlu nga IOM-i, anëtare e Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkenca Administrative në Universitetin Erciyes në Turqi, për Anadolu tha se “emigrantë klimatik” nga IOM-i quhen individët që detyrohen të lëshojnë vendet e tyre, përkohësisht ose përgjithmonë, për shkak të ngjarjeve klimatike dhe mjedisore që ndikojnë negativisht në jetën ose kushtet e tyre të jetesës.

Dedeoğlu tha se arsyet e emigrimit të emigrantëve klimatik mund të ndryshojnë, faktorë si fatkeqësitë e lidhura me klimën, ulja e produktivitetit bujqësor, mungesa e ujit, thatësira dhe temperaturat ekstreme.

Ajo tha se një rritje e nivelit të detit e shkaktuar nga ngrohja globale shkakton humbje të tokës dhe rrjedhimisht emigrim.

Dedeoğlu shtoi se konfliktet që rrjedhin nga konkurrenca e shtuar për burimet natyrore gjithashtu mund të nxisin emigrimet klimatike.

“Emigrime të tilla mund të ndodhin në mbarë botën për shkak të fatkeqësive të shkaktuara nga krizat klimatike. Për shembull, uragani Katrina në SHBA në vitin 2005 shkaktoi një nga ngjarjet më të mëdha të emigrimit në historinë e SHBA-së, me 1,5 milion njerëz që lëvizën përkohësisht, 300 mijë njerëz përgjithmonë dhe 107 mijë ilegalisht”, tha Dedeoğlu.

– Emigrimet brenda vendeve

Më tej, Dedeoğlu theksoi se në emigrimet klimatike, njerëzit fillimisht zgjedhin rajonet brenda vendeve të tyre, por derisa efektet globale të krizës klimatike intensifikohen, mund të ketë emigrime ndërkombëtare më të shpeshta në të ardhmen.

“Ne kemi parë raste reale. Në vitin 2013 kishte një aplikim refugjatësh lidhur me krizën klimatike nga Kiribati në Zelandën e Re, por u refuzua. Ka një përkufizim të refugjatëve të përshkruar në Konventën e Gjenevës dhe emigrimi i shkaktuar nga klima nuk i plotëson këto kritere. Miliona njerëz që përballen me këtë problematik janë të përjashtuar pasi ende nuk ka pasur një rregullore që e trajton atë”, tha ajo.

Dedeoğlu po ashtu theksoi edhe paralajmërimet e Panelit të OKB-së për ndryshimet klimatike për rritjen e ngrohjes në rajonin e Mesdheut dhe theksoi se Turqia si pjesë e këtij rajoni do të preket nga emigrimi klimatik.

Related posts

SHBA-ja akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit: U krijua një skemë me vlerë 10 milionë dollarë…

admin

Zvogëlohen rezervat e gjakut në QKUK, shkak sezoni i pushimeve

rezart morina

Kurti pret shefin e NATO-s: Qeveria del me detaje se çka u fol në takim

rezart morina