RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nivel rekord inflacioni në eurozonë, Ballkani edhe më keq

nivel-rekord-inflacioni-ne-eurozone,-ballkani-edhe-me-keq

Inflacioni vjetor në Eurozonë ka kapur shifra rekorde, ndërsa shifrat tregojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor po e përjetojnë edhe më keq krizën.

Inflacioni vjetor në Eurozonë pritet të ketë arritur 10% në shtator të këtij viti, duke shënuar një rritje tjetër krahasuar me muajin gusht kur ishte 9.1%. Të dhënat nga Zyra e Statistikës e Bashkimit Evropian Eurostat tregojnë se shpenzimet për energji kontribuojnë më së shumti në këtë rritje. Lufta në Ukrainë ka bërë që inflacioni në sektorin energjetik të shkojë në 40.8% në nivel vjetor dhe është në rritje çdo muaj. Më pas shtrenjtimet më të mëdha vijnë në sektorin e ushqimeve, të duhanit me 11.8% inflacion, prodhimet industriale me 5.6% dhe shërbimet me 4.3%.

Vendet Baltike në krye të listës së inflacionit

Inflacioni rekord ka prekur më së shumti Evropën lindore, sidomos vendet Baltike. Estonia prin me 24.2%, ndërsa menjëherë pas vijnë Lituania dhe Letonia me 22.5%, respektivisht 22.4%.

Holanda (17.1%), Sllovakia (13.6%), Spanja (12.1%) dhe Belgjika (12%) vijojnë listën e vendeve me më shumë inflacion.

Gjermania qëndron rreth mesatares së eurozonës me 10.9%, duke regjistruar inflacionin më të lartë që nga futja në përdorim të Euros.

Pagat nuk po e mbajnë hapin me shtrenjtimet

Rritja rekorde e shpenzimeve për jetë ka tërhequr domosdo edhe rritjen e pagave, por jo në nivelin e njejtë. Në tremujorin e dytë të vitit 2022, pagat në Eurozonë janë rritur për 4% krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak. Rritja më e lartë regjistrohet në sektorin e minierave dhe gurëroreve me 6.9% rritje pagash, pastaj në sektorin e shërbimeve administrative me rritje prej 6.6%, në sektorin e aktiviteteve profesionale, shkencore dhe teknike ka rritje prej 6.3% si dhe në sektorin e hotelierisë me rritje prej 6%.

Rritje më e madhe e pagave regjistrohet në Hungari (14.9%) dhe Bullgari (14.6%). Vetëm edhe 4 vende të tjera anëtare të BE-së kanë rritje mbi 10%: Lituania (12.4%), Rumania (11.7%), Polonia (11.1%) dhe Estonia (10.1%). Më stagnante është Greqia me vetëm 0.8% rritje të pagave.

Ballkani Perëndimor me inflacion mbi mesataren e Eurozonës, Shqipëria më mirë

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht mbi mesataren e Eurozonës sa i përket nivelit të inflacionit.

Inflacioni ka prekur më së shumti Bosnjë e Hercegovinën, e cila shënon rritje të çmimeve për 16.8% në gusht të këtij viti, krahasuar me gushtin e vitit paraprak.
Pastaj vjen Mali i Zi, që ka shënuar rritje të inflacionit për 15% në gusht të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Çmimet në Serbi janë rritur për 13,2% në gusht të këtij viti, në raport me vitin paraprak.
Ngjashëm edhe Kosova. Në muajin gusht shënonte inflacion prej 13%.
Maqedonia e Veriut me inflacion prej 11.6% në muajin gusht është gjithashtu mbi mesataren e Eurozonës.

E vetmja Shqipëria qëndron më mirë madje edhe se mesatarja e Eurozonës. Duke iu referuar të dhënave të Institutit Shtetëror të Statistikave për muajin gusht, Shqipëria regjistroi inflacion vjetor prej 8%.

Në të gjitha këto vende, shtrenjtimet më të mëdha janë në sektorin e energjetikës dhe industrisë ushqimore.

Për krahasim, inflacioni në Eurozonë në muajin gusht shënonte 9.1%. /trt

Related posts

“Patriot i vërtet dhe politikan i mençur”- Putin uron Lukashenkon në ditëlindjen e tij të 70-të, i nderon me çmimin më të lartë shtetëror të Rusisë

admin

Rusia mirëpret marrëveshjen për pauzë humanitare në Gaza

admin

Fillojnë protestat në mbështetje të Ujgurëve – VIDEO

admin