Një ekstremist hebre sulmoi një kishë në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor, tha policia izraelite.
Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se një “ekstremist” rrëzoi një statujë të Jezusit në Kishën e Fshikullimit në Via Dolorosa në Qytetin e Vjetër.
Dëshmitarët shtuan se një nga rojet e kishës arritën të merrnin nën kontroll ekstremistin përpara se policia izraelite të arrinte në kishë dhe ta arrestonte atë.
Duke folur për Anadolu, Majid al-Rishq, një nga rojet e kishës, tha se e pa autorin disa herë në zonë dhe këtë mëngjes e pa atë me kapelë hebreje (Kippah).
Ai tha se e ndaloi atë ndërsa po përpiqej të shkatërronte një statujë të Jezusit me çekiç përpara se policia izraelite të vinte për ta arrestuar.
Al-Rishq, i cili ka punuar në kishë për 20 vjet, tha se ekstremisti hyri në kishë me dy grupe turistike nga Spanja dhe Indonezia. Pas kësaj, ai dëgjoi një zë të fortë goditjesh dhe shpejtoi, duke e gjetur në përpjekje për ta shkatërruar statujën e Jezusit.
Ai shtoi se ekstremisti u përpoq ta sulmonte me çekiç, por ishte në gjendje ta kontrollonte dhe ia dorëzoi policisë izraelite.
Policia izraelite, nga ana e saj, tha në një deklaratë se “arrestoi një turist amerikan të dyshuar për vandalizimin e një statuje në një kishë në qytetin e vjetër të Kudsit”.
“I dyshuari u transferua për t’u marrë në pyetje dhe policia izraelite hapi një hetim për rrethanat e rastit”, tha policia, duke shtuar se ai “mund të jetë i sëmurë mendor”.
“Ne veprojmë seriozisht ndaj dëmtimit të institucioneve dhe objekteve fetare. Policia do të vazhdojë të veprojë kundër akteve të dhunës dhe vandalizmit në vendet e shenjta të të gjitha feve”, tha policia izraelite.
Më herët gjatë ditës, mediat izraelite raportuan se ekstremistë izraelitë kishin sulmuar kishën, përpara se të lëshohej deklarata e policisë.
Ky është sulmi i fundit ndaj kishave në Kudsin Lindor.
Javën e kaluar, ekstremistët izraelitë sulmuan banorët dhe pronat e Patriarkanës Armene, ndërsa muajin e kaluar u sulmua një varrezë e krishterë pranë qytetit të vjetër.
Udhëheqësit e kishës u kanë bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve izraelite që t’u japin fund sulmeve, të cilat ata i përshkruan si “krime urrejtjeje”.
TODAY: Israeli settlers desecrate a religious statue in a Jerusalem church. pic.twitter.com/v4gHzqNiAM
— MintPress News (@MintPressNews) February 2, 2023