Ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Zllakuqan të Lipjanit – një person ka humbur jetën pasi është sulmuar me një mjet të mprehtë.
Ngjarja ka rezultuar fatale për Agim Zanin, një 57-vjeçar, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Dy të dyshuarit Skender Krasniqi dhe i biri i tij, Taulant Krasniqi, janë arrestuar nga policia.
Ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje fizike mes palëve, që ka eskaluar në përdorimin e një mjeti të mprehtë.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Magure, Zani nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve.
Jozyrtarisht mësohet se e gjithë ngjarja ndodhi si shkak i një konflikti për një video në platformën sociale “TikTok”.
Policia Rajonale në Prishtinë ka konfirmuar rastin dhe është duke zhvilluar hetimet për të ndriçuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje që ka ndodhur në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e para, janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë.
Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor. Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar”, thuhet në deklaratën e policisë.
Bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e të plagosurit është stabile.