RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Një kryeministër, disa lule dhe diferenca mes Çekisë e Shqipërisë

nje-kryeminister,-disa-lule-dhe-diferenca-mes-cekise-e-shqiperise

Në Çeki, një shkelje e vogël sjell ndjesë publike; në Shqipëri, skandalet e mëdha shpesh përfundojnë pa përgjegjësi politike

Në Pragë, politika ka pasur dikur një mënyrë radikale për t’u marrë me pushtetin: defenestrimin. Në vitin 1419 dhe më pas në 1618, disa zyrtarë u hodhën nga dritaret e institucioneve, në ngjarje që tronditën historinë europiane.

Natyrisht, sot Çekia nuk ka më nevojë për një “stil bohem” për t’u kujtuar politikanëve se pushteti nuk është pronë personale. Mjafton një gjë shumë më e civilizuar: llogaridhënia.

Këtë e tregon edhe një episod, që në Shqipëri, do të dukej pothuajse absurd. Kryeministri çek Andrej Babiš kërkoi dje falje pasi kishte këputur disa lule në një zonë të mbrojtur dhe deklaroi se ishte i gatshëm të paguante edhe gjobën, nëse do të ishte e nevojshme.

Dikush mund të pyesë: kaq shumë zhurmë për disa lule? Pikërisht këtu qëndron thelbi. Problemi nuk qëndron te disa lule të këputura por te standardi.

Një kryeministër duhet të sillet sikur ligji vlen për të njëlloj si për qytetarin që nuk ka as eskortë, as pushtet, as shumicë parlamentare pas vetes.

Dhe këtu kontrasti me Shqipërinë bëhet tronditës. Si një vend që doli nga komunizmi vetëm disa dekada më parë, ashtu si Çekia, do të duhej të ishim ende duke ndërtuar kulturën e përgjegjësisë publike.

Në vend të kësaj, kemi ndërtuar një kulturë ku pushteti shpesh e konsideron ndjesën si dobësi dhe pranimin e gabimit si humbje politike.

Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe shumë prej figurave që kanë dominuar politikën shqiptare për dekada janë përballur me akuza, skandale dhe beteja të pafundme për korrupsionin, abuzimin me pushtetin apo konfliktet e interesit.

Por sa herë kemi dëgjuar një politikan të dalë para qytetarëve dhe të thotë: “Këtu kemi gabuar. Na falni”?

Për shembull Meta, u përball me një skandal të madh politik pas publikimit të videos së vitit 2011 dhe dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit, ndërsa vite më vonë u arrestua dhe u akuzua nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe çështje të lidhura me deklarimin e pasurisë. Ai i mohon akuzat dhe gjyqi ndaj tij vazhdon.

Berisha, nga ana tjetër, ka qenë subjekt i një hetimi dhe procedurash penale të lidhura me akuzat për korrupsion dhe abuzim me detyrën, akuza që ai i konsideron të motivuara politikisht.

Ndërkohë Rama, drejton prej vitesh një sistem politik të rrethuar nga akuza të vazhdueshme për korrupsion dhe klientelizëm, ndërsa disa ministra dhe bashkëpunëtorë të tij janë përballur me hetime dhe dënime penale.

Por problemi më i madh është më i thellë se sa emrat. Në Shqipëri, pothuajse çdo skandal prodhon të njëjtën skemë: mohimi, relativizimi, sulmi ndaj kundërshtarit, sulmi ndaj medias, teoritë për komplot dhe në fund harrimi.

Shumë rrallë vjen ajo fjalë e thjeshtë që në demokracitë e konsoliduara ka vlerë të jashtëzakonshme: më falni!

Kjo është arsyeja pse lajmi i kryeministrit çek që kërkon ndjesë për disa lule është shumë më domethënës se vetë incidenti. Një shtet matet edhe nga mënyra se si reagon ndaj shkeljeve të vogla.

Sepse nëse një kryeministër pranon se nuk mund të këpusë lule në një zonë të mbrojtur vetëm sepse është kryeministër, atëherë pranon edhe një parim themelor: pushteti nuk të vendos mbi rregullat.

Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në këtë drejtim. Ne nuk kemi nevojë të rikthejmë “defenestrimin” e Pragës. Por do të ishte mirë të mësonim më në fund atë që Evropa e kuptoi shumë kohë më parë: pushteti nuk humbet kur kërkon falje por kur nuk është më në gjendje të kërkojë falje.

Dhe ndoshta ky është ndryshimi më i madh mes një demokracie, që matet me standardet e saj dhe një politike që ende kërkon të bindë qytetarin se gjithçka është normale. tesheshi

Related posts

Rreth një orë pritje në pikëkalimet kufitare për të dalë nga Kosova

Muhamet Ramadani

Listës së dëshmitarëve në rastin “Thaçi dhe të tjerët” i shtohen edhe tri “viktima”

Muhamet Ramadani

Antikorrupsioni arreston drejtorin e Agjencisë për Efiçiencë të Energjisë

admin