RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Një xhami e re në Parma, nismë e Komunitetit Musliman të Shqipërisë

nje-xhami-e-re-ne-parma,-nisme-e-komunitetit-musliman-te-shqiperise

Një kompleks për 1.600 persona, me hapësira komunitare dhe parkim nëntokësor

Komuniteti Musliman i Shqipërisë po mbështet një projekt për ndërtimin e një xhamie të re në Parma të Italisë, me synimin për t’i ardhur në ndihmë komunitetit mysliman të qytetit dhe për të krijuar një hapësirë të re kulti dhe aktivitetesh komunitare.

Sipas ParmaToday, projekti ende nuk është paraqitur zyrtarisht në Bashkinë e Parmës. Megjithatë, që prej vitit 2023 janë ndërmarrë disa hapa paraprakë, duke nisur nga përgatitja e dokumentacionit dhe projektit arkitektonik, deri te vlerësimi i kostove të ndërhyrjes.

Një pjesë e pagesës për blerjen e truallit ku parashikohet ndërtimi i kompleksit është kryer tashmë. Përfundimi i blerjes së pronës mbetet një nga hapat kryesorë për të kaluar më pas në fazat e tjera të projektit.

Projekti arkitektonik synon të ndërthurë elementet karakteristike të një faltoreje islame me kontekstin urban të Parmës. Sipas Komunitetit Musliman të Shqipërisë, qëllimi është krijimi i një qendre që t’i shërbejë jo vetëm riteve fetare, por edhe jetës sociale dhe komunitare të besimtarëve.

Një xhami me kapacitet për 1.600 persona

Në qendër të kompleksit do të jetë xhamia, e projektuar për të pritur rreth 1.600 persona. Përveç hapësirës së faljes, projekti parashikon edhe ambiente të tjera funksionale për veprimtaritë e komunitetit.

Kompleksi pritet të përfshijë një kafene dhe restorant, të konceptuar nga Komuniteti si aktivitet waqf, pra një pasuri ose veprimtari e destinuar për të mbështetur në mënyrë të vazhdueshme qëllimet fetare dhe sociale.

Në projekt përfshihen gjithashtu salla konferencash dhe zyra për takime e aktivitete të ndryshme, një banesë për imamin ose për mysafirë të komunitetit, si dhe një parkim nëntokësor.

Sipas projektit, kompleksi mund të ndërtohet në zonën midis via Venezia dhe institucionit penitenciar të via Burla, në Parma.

Fushata për blerjen e truallit

Për të përfunduar blerjen e tokës, Komuniteti Musliman i Shqipërisë ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve, e drejtuar ndaj personave që dëshirojnë të kontribuojnë në realizimin e projektit.

Kontributet kërkohen përmes konceptit islam të Sadaqah Jariyah, një formë bamirësie me përfitim të vazhdueshëm. Ideja është që një kontribut i dhënë për një vepër të dobishme të vazhdojë të prodhojë të mira edhe në të ardhmen.

ParmaToday raporton se KMSH ka bërë të ditur se mbledhja e fondeve, përdorimi i shumave të siguruara dhe realizimi i projektit do të jenë nën mbikëqyrjen e udhëheqjes së tij. Sipas KMSH, synimi është garantimi i transparencës si në administrimin e burimeve financiare, ashtu edhe në ecurinë e projektit. tesheshi.com

Related posts

Grossi: Shumë i shqetësuar për rrezikun e goditjes së termocentralit bërthamor Zaporizhzhia

Muhamet Ramadani

Protesta të dhunshme në Greqi pasi një djali rom u qëllua nga policia

admin

Izraeli bombardon kampin e refugjatëve në Gaza, vriten 27 palestinezë

admin