RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Njohja e targave RKS nga Serbia, Bislimi: Është maskim për ta kamufluar dështimin në Banjskë

njohja-e-targave-rks-nga-serbia,-bislimi:-eshte-maskim-per-ta-kamufluar-deshtimin-ne-banjske

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se me vendimin e Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave RKS, ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë.

Bislimi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Çështja e targave mbi 10 vite ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vite marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë”, ka thënë Bislimi, transmeton Telegrafi.

Ai tha se “më 30 shtator, u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike, dhe u zhvilluan gjithsej 8 takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022”.

“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”.

Sipas Bislimit, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës”.

“Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato”.

“Gjithashtu duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”, ka shkruar Bislimi.

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që nga 1 janari të mundësojë lëvizjen e lirë e të gjitha veturave me targa RKS nga Kosova në tërë territorin e Serbisë.

Kështu ka njoftuar Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se BE mirëpret vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat RKS, të lëshuara nga Kosova.

Stano në një postim në X thekson se ky është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve si dhe në zbatimin e angazhimeve që janë marr në kuadër të dialogut, e që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes.

Related posts

Kosova dhe Turqia fuqizojnë më tej bashkëpunimin dypalësh

rezart morina

​Dita Ndërkombëtare e Paqeruajtësve të OKB-së

admin

Anija amerikane ankorohet në brigjet e Rripit të Gazës

admin