Zyra Federale e Statistikave e Gjermanisë ka bërë të ditur se një numër rekord sirianësh janë bërë shtetas gjermanë në vitin 2022, transmeton Anadolu.
Sipas statistikave zyrtare, rreth 48.320 sirianë, shumica e të cilëve ikën nga lufta civile midis viteve 2014 dhe 2016, përfunduan me sukses programet e integrimit dhe morën pasaportat e tyre gjermane.
Të dhënat treguan se numri i natyralizimeve u dyfishua në një vit, pasi në vitin 2021 gjithsej 19.100 sirianë u bënë shtetas gjermanë, ndërsa në vitin 2020 vetëm 6.700 sirianë morën pasaportat gjermane.
Vitin e kaluar, gjithsej 168.545 të huaj morën pasaporta gjermane, ndërsa sirianët ishin grupi më i madh, respektivisht afër 29 për qind e numrit të përgjithshëm të natyralizimeve.
Në vitin 2022, rreth 14.235 emigrantëve turq, 6.810 irakianë dhe 5.565 ukrainasë gjithashtu iu miratuan me sukses aplikimet e tyre dhe u bënë shtetas gjermanë.
Rreth 13 milionë nga popullsia e përgjithshme prej 84 milionësh e Gjermanisë janë të huaj dhe shumë prej tyre nuk kanë nënshtetësi gjermane, edhe nëse kanë jetuar prej kohësh në vend.
Këtë muaj, qeveria gjermane përgatiti një projektligj për të modernizuar ligjin e shtetësisë së vendit, i cili do të thjeshtëzojë procesin e marrjes së shtetësisë gjermane dhe do të mundësojë shtetësinë e shumëfishtë për emigrantët.
Kancelari Olaf Scholz vazhdimisht ka deklaruar se përshpejtimi i procesit të natyralizimit do të rrisë integrimin dhe pjesëmarrjen sociale dhe politike.
Projektligji pritet të finalizohet nga kabineti i qeverisë federale para pushimeve verore. Më pas do t’i paraqitet parlamentit për miratim.