Numri i njerëzve nën moshën 50 vjeçare që janë diagnostikuar me kancer në mbarë botën, është rritur me pothuajse 80 për qind në tri dekadat e fundit – sipas studimit më të madh të këtij lloji.
Numri global i rasteve të kancerit në fazën e hershme është rritur nga 1.82 milion në vitin 1990 në 3.26 milionë në vitin 2019, ndërsa vdekjet nga kanceri në mesin e të rriturve në të dyzetat, të tridhjetat ose më të rinj janë rritur me 27 për qind.
Më shumë se një milion njerëz nën moshën 50 vjeçare tani vdesin nga kanceri çdo vit, ka zbuluar hulumtimi, raporton The Guardian.
Hulumtuesit janë ende në fazat e hershme për të kuptuar arsyet e rritjes së numrit të rasteve. Autorët e studimit, të publikuar në BMJ Oncology, thonë se ushqyerja jo e shëndetshme, përdorimi i alkoolit dhe duhanit, pasiviteti fizik dhe obeziteti, janë faktorë të mundshëm.
Të dhënat e mëparshme kanë sugjeruar se incidenca e kancerit te të rriturit nën moshën 50 vjeçare është rritur në pjesë të ndryshme të botës gjatë dekadave të fundit.
Studimi më i fundit, i udhëhequr nga Universiteti i Edinburgut në Skoci dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Hangzhou të Kinës, është i pari i këtij lloji që shqyrtoi çështjen në nivel global, si dhe analizoi faktorët e rrezikut për të rriturit e moshave të mesme.