Numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut arriti në katër, njoftoi drejtori i Institutit Shëndetësor Publik Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, Fadil Cana, raporton Anadolu.
Cana në një deklaratë për media informoi për gjendjen lidhur me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
“Edhe një pacient në gjendje të rëndë shëndetësore, te i cili më parë ishte konfirmuar laboratorikisht forma neuroinvazive e etheve të Nilit Perëndimor, vdiq në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive”, informoi Cana.
Ai tha se janë të shtruar në spital 20 pacientë, nga të cilët dy raste konsiderohen klinikisht të dyshuara, ndërsa pesë pacientë janë në kujdesin intensiv.
Cana theksoi se pacienti 76-vjeçar ishte trajtuar për 27 ditë në Klinikë, por vdiq për shkak të formës së rëndë neuroinvazive të sëmundjes dhe sëmundjeve të rënda shoqëruese.
Ai shtoi se në vend, 15 persona janë shëruar nga ethet e Nilit Perëndimor dhe janë liruar nga Klinika për Sëmundje Infektive.
– Virusi i Nilit Perëndimor
Për mbrojtjen nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili më së shpeshti transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të gjinisë “Culex”, nuk ka vaksinë të disponueshme dhe rekomandohet mbrojtja nga pickimet e mushkonjave.
Periudha e inkubacionit nga momenti i pickimit të mushkonjës zakonisht zgjat nga 2 deri në 14 ditë ndërsa te personat me imunitet të dobësuar kjo periudhë mund të zgjatet deri në 21 ditë.
Rreth 80 për qind e personave të infektuar me virus nuk shfaqin asnjë simptomë ndërsa te rreth 20 për qind e pacientëve mund të shfaqen simptoma si temperaturë, dobësi, të përziera dhe të vjella, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore.
Rastet me virusin e Nilit Perëndimor regjistrohen më së shpeshti në Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut dhe Azinë Perëndimore.

