Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) paralajmëroi kundër çdo sulmi izraelit në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë pas një takimi të jashtëzakonshëm, organizata bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, për shkeljen e shenjtërisë së Xhamisë Al-Aksa.
Javën e kaluar, Ben-Gvir vizitoi kompleksin Al-Aksa, duke shkaktuar një stuhi dënimesh nga vende anembanë botës, duke përfshirë Turqinë, Jordaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe Pakistanin.
OBI e konsideroi vizitën e ministrit Ben-Gvir si një “provokim serioz që lëndon ndjenjat e muslimanëve në të gjithë botën dhe një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, rezolutave përkatëse të OKB-së, situatës ekzistuese historike dhe ligjore në Kuds dhe shenjtëritë e tij, si dhe të gjitha normave përkatëse ndërkombëtare”.
OBI dënoi fuqishëm “sulmet e përsëritura” të kolonëve izraelitë ndaj vendeve të shenjta të krishtera dhe pronave krishtere, “përfshirë sulmin e fundit ndaj vakëfeve të Kishës Ortodokse në Bab-Al-Khaleel dhe Silwan, dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e varreve të krishtera në malin Sion në pjesën lindore të Kudsit”.
OBI gjithashtu i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “të marrë përsipër përgjegjësitë e tij” dhe të ndalojë përshkallëzimin e rrezikshëm të shkaktuar nga Izraeli në Kudsin Lindor të pushtuar.
Deklarata riafirmoi sovranitetin palestinez mbi “Kudsin dhe të gjitha vendet e tij të shenjta, qytetin e lashtë dhe muret e tij”, duke thënë se janë “të pavlefshme dhe nuk kanë efekt juridik” të gjitha masat e marra nga autoritetet izraelite pushtuese për të ndryshuar karakterin dhe statusin ligjor të qytetit, ose përbërjen e tij demografike.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se punon sistematikisht për të judaizuar Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, dhe për të zhdukur identitetin e tij arab dhe islam.
Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Më pas, Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.