RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

OBSH: Gjysma e popullsisë së botës në rrezik të virusit të dengës

obsh:-gjysma-e-popullsise-se-botes-ne-rrezik-te-virusit-te-denges

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBHS) ka paralajmëruar se gjysma e popullsisë së botës është në rrezik të infektimit me virusin e dengut që transmetohet nga mushkonjat, transmeton Anadolu.

Kreu i njësisë së OBSH-së për sëmundjet tropikale, Raman Velayudhan, në një konferencë për media në Gjenevë tha se OBSH-ja midis viteve 2020-2022 regjistroi një rritje tetëfish të rasteve të virusit të dengës, duke shënuar rritje nga 500 mijë në 4.2 milionë raste.

Velayudhan theksoi se shifra aktuale mund të jetë shumë më e lartë pasi organizata pranoi shifra gjithnjë e më të sakta vitet e fundit.

“Rreth gjysma e popullsisë së botës është në rrezik nga virusi i dengës, që prek rreth 129 vende”, tha ai, duke theksuar se rreth 100 deri në 400 milionë raste raportohen çdo vit.

Ai tha se virusi i dengës është një sëmundje serioze, e cila më së shpeshti është një infeksion viral i përhapur përmes pickimit të mushkonjave nga një person te tjetri. Ai shtoi se 80 për qind e rasteve janë asimptomatike.

Sipas tij, e vetmja vaksinë që aktualisht është në treg është vaksina ‘Sanofi Pasteur’.

Kjo vaksinë është regjistruar për përdorim në afër 20 vende.

Vaksina mbron vetëm njerëzit që janë infektuar një herë nga virusi dhe kërkon që njerëzit të marrin tre doza.

Sipas ekspertit të OBSH-së, efikasiteti i kësaj vaksinë kundër katër llojeve të virusit të dengës (1, 2, 3 dhe 4) është mesatarisht rreth 65 për qind.

Velayudhan tha se kundër virusit të dengës 1 dhe dengës 3, vaksina është efektive 80 për qind, ndërsa kundër dengës 2 dhe dengës 4 është më pak efektiv, përkatësisht në 50 për qind.

Ai tha se efikasiteti i ndryshëm i vaksinës kundër llojeve të ndryshme të virusit është një sfidë.

Siç theksoi ai, vlerësimet tregojnë se vdekjet nga virusi i dengës variojnë nga 40 mijë deri në 70 mijë në vit. Ai shtoi se ka shumë vende që ende nuk i raportojnë ato.

“Shkalla e vdekshmërisë së rasteve është rreth më pak se 1 për qind në shumicën e vendeve dhe ne shpresojmë ta zvogëlojmë akoma më tej”, tha ai.

Related posts

Zjarret në Kanada shkaktojnë evakuimin e 13 mijë banorëve

rezart morina

Sulm me armë zjarri në Los Anxhelos, 10 të vrarë

admin

Rritet në 34.488 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

RTI